Serbia rikthehet në tregun kosovar

Kosova ka qarkullim tregtar me Serbinë më shumë se me çdo vend tjetër si në import ashtu edhe në eksport. Deri në vitin 2017, produktet me origjinë nga Serbia kishin pjesëmarrjen më të lartë në importin e përgjithshëm të Kosovës.

Lajme

03/03/2021 22:20

Për vite me radhë, prodhimi vendor nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat e konsumit të brendshëm. Si rezultat, Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë në import.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë tensione tregtare dhe politike, por shteti fqinjë gjatë gjithë këtyre viteve e ka “shkelur” tregun në Kosovë me produkte kryesisht ushqimore, pasuar edhe nga Maqedonia e Veriut.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2018 kishte vendosur masë mbrojtëse tarifore, fillimisht prej 10% pastaj në dhjetor edhe 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Brenda pak muajve pas vendosjes së taksës 100%, importet nga Serbia shënuan një rënie drastike, duke u rritur kështu shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e BE-së, shkruan lajmi.net.

Nga perspektiva e sotme shihet se ndikimi i taksës edhe sot ka lenë pasoja tek tregu i Serbisë që kishte në Kosovë.

Megjithëkëtë, statistikat e vitit të kaluar, tregojnë se Serbia është rikthyer përsëri në tregun e Kosovës, me një prezencë më të vogël se të viteve paraprake, madje edhe më të vogël në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por ky fillim vit ka dhënë shenja që mallrat serbe po kthehen me vrull.

Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë dy muajt e parë të vitit, janar-shkurt, Serbia ka futur mallra në vlerë prej 28 milionë e 300 mijë euro.

Në këtë hark kohor nga Maqedonia kanë hyrë mallra në vlerë prej 19 milionë e 619 euro

Nga Shqipëria janar –shkurt janë importuar mallra në vlerë prej 17 milionë euro.

Në vitin e kaluar Serbia ishte rikthyer në tregun e Kosovës, por me një përqindje më të vogël në raport me Maqedoninë e Shqipërinë. Për 12 muaj nga Serbia u importuan mallra në vlerë prej pak mbi 156 milionë, nga Shqipëria në vlerë prej 177.5 milionë euro, nga Maqedonia 157. 8 milionë eurove.

Për herë të parë në vitin 2019, Serbia kishte humbur tregun në Kosovë nga ku shiti mallra në vlerë vetëm 5.5 milionë euro. Në atë vit, importin e kishte marrë Maqedonia e Veriut me vlerë të mallit prej 246.4  milionë euro, duke pasur nga Shqipëria më 223.8 milionë euro.

Vetëm një vit më herët, 2018, importi i mallrave serbe ka qenë në vlerë 388.928 milionë euro, me Shqipërinë 206.4 milionë, kurse me Maqedoninë 172.1 milionë euro. Në 2017, nga Serbia kishin hyrë mallra në vlerë prej 449.9 milionë euro, më së shumti në historinë e importeve më këtë shtet, me Shqipërinë ka qenë 151.8 milionë, me Maqedoninë e Veriut 156.4 milionë euro. Rreth 400 milionë euro ka qenë importi me Serbinë edhe në vitet 2014, 2015, 2016.

Të dhënat e Doganës tregojnë se në dy vitet e fundit është rritur dukshëm edhe importi me vendet e Bashkimit Evropianë, por edhe me disa shtete të Amerikës Latine. /Lajmi.net/