Serbia prinë për numrin e azilkërkuesve në rajon

Edhe këtë vit, Serbia zë vendin e parë për numrin e kërkesave për azil në shtetet e BE-së. Ndërsa, numri i azilkërkuesve nga Ballkani, është më i madh se i atyre nga Siria. 

Lajme

07/07/2014 16:18

Banorët e Ballkanit Perëndim, vitin e kaluar kanë bërë kërkesa për azil në Bashkimin Europian më shumë se banorët e Sirisë, ndërsa Serbia edhe kësaj radhe mbetët e para me numrin e azilkërkuesve, shkruan në raportin vjetor të Komisionit Europian.

“Kjo është një çështje serioze e cila e rëndon sistemin”, ka thënë para gazetarëve Komisionerja për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom gjatë prezantimit të raportit.

Në këtë raport thuhet se numri i kërkesave për azil nga Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, ka kaluar numrin e azilkërkuesve që vijnë nga Siria e shkatërruar nga lufta.

Vetëm nga Serbia, numri i azilkërkuesve ka arritur në 22.500, nga 78 mijë sa është numri total nga i gjithë rajoni, raportojnë mediat serbe.

Numri i azilkërkuesve nga Serbia, për vitin 2013 është rritur për 17 për qind, për dallim me një vit më parë, ndërsa në raport thuhet se ata, përfshirë Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën, azilkërkuesit janë kryesisht të nacionalitetit Romë.

Në raport, gjithashtu thuhet se rritje e kërkesave për azil, është shënuar në Kosovë dhe Shqipëri.