Serbia pret që shqiptarët e Luginës të dalin në zgjedhje
Qeveria serbe pret që shqiptarët e komunave të Luginës së Preshevës të dalin me një qëndrim rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e 16 marsit, deri të premten. Zoran Stankovic nga Trupi Koordinues thotë se edhe Tirana u ka sugjeruar atyre që të marrin pjesë.

Lajme
Kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankovic ka thënë sot se pret që deri të premten, liderët e shqiptarëve të këtyre komunave ta marrin një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 16 mars në Serbi.
“Marrja e vendimit të përbashkët në këto zona është punë e vështirë edhe për liderët shqiptarë. Pres që deri të premten të merret një vendim dhe ata të dalin me një qëndrim të përbashkët”, ka thënë Stankovic për RTS.
Ai tha se Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi është shprehur në favor të pjesëmarrjes në zgjedhje, ndërsa sugjeroi edhe liderët tjerë që ta marrin të njëjtin vendim.
Sipas tij, sugjerime për pjesëmarrje në zgjedhje ka pasur edhe nga Tirana.