Serbia po mban zgjedhjet në Kosovë, gënjeshtrat nuk pinë ujë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se populli nuk po “han barishte” që të besojë se Serbia sot nuk po organizon zgjedhjet sot në Kosovë. Ai tha se gënjeshtra të tilla më nuk pinë ujë.
Lajme
Sot janë zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat po mbahen edhe në Kosovë. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e ka thënë se Serbia nuk po organizon zgjedhje në Kosovë, por vetëm po grumbullon vota. E për këtë deklaratë ka reaguar ashpër Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Ai ka ngritur pyetje se si mund të quhet “ky mashtrim i radhës”. Sipas Krasniqit, me deklarime të tilla po “fyhet inteligjenca e këtij populli” dhe se ai “nuk është duke ngrënë barishte të hidhura”.
“Po thuhet: “Serbia s’po organizon zgjedhje, po grumbullon vota”. A mund të grumbullohen votat pa zgjedhje? Çka t’i themi këtij mashtrimi të radhës?”
“Veçse, mos ia fyeni inteligjencën këtij populli se nuk është duke ngrënë barishta të hidhura. Vendime të hidhura po se po”.
“Popullit t’i thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Gënjeshtrat nuk pinë më ujë”, ka shkruar Jakup Krasniqi në profilin e tij në Facebook.