Serbia do të jetë me ju
Ivica Dacic u premtoi banorëve serbë në Veri mbështetje të Qeverisë Serbe. Ai, së bashku me Ministrat Vulin dhe Mihalovic, u ka bërë thirrje serbëve të tubuar në sheshin “Shumadia” që të marrin pjesë në rivotimin e 17 nëntorit.

Lajme
(E Plotësuar: 14:00)
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë para banorëve serbë në Veri të Mitrovicës së Serbia nuk do t’i lërë asnjëherë të vetmuar.
Mediat serbe raportojnë se Kryeministri serb, si dhe Ministrat Vulin dhe Mihajlovic, janë duke marrë pjesë në tubimin elektoral të Listës Serbe.
“Serbia asnjëherë nuk do t’i lërë vetëm serbët e Veriut të Mitrovicës, por edhe ju nuk duhet që të lëni të vetmuar Serbinë. Ju nuk duhet që të lejoni t’i përsërisim gabimet e historisë të cilat kanë çuar në dëbime të serbëve”.
“Po të mos ishte Serbia, ne nuk do të ishim sot këtu. Nuk do të ishte ky një territor në të cilin kemi katër komuna me rëndësi të madhe”.
Kryeministri serb ka bërë të ditur se ai personalisht ishte prezent në Mitrovicë edhe në momentin kur, siç shprehte, mbrohej ura, në kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Kosovës.
Përvec Dacicit, në pjesën e Veriut ishin edhe ministrja e Energjetikës Zorana Mihalovic dhe Ministri i ngarkuar për Kosovë, Aleksandar Vulin.
Të dy ministrat në fjalimin e tyre u kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në rivotimin e 17 nëntorit. Ata kanë kërkuar nga qytetarët që të mos i dëgjojnë thirrjet për bojkot të këtyre zgjedhjeve.
Dacic është në Mitrovicën e Veriut
Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic ka arritur sot në pjesën veriore të Kosovës, ku është pritur nga mijëra banorë serbë të tubuar në sheshin kryesor të Veriut të Mitrovicës.
Në të njëjtin shesh të quajtur “Shumadia”, është duke u mbajtur edhe tubimi elektoral Listës Serbe, subjekt ky i cili ka mbështetje të plotë nga Qeveria e Serbisë.
Me të arritur në këtë shesh, në orën 12 e 30, kryeministri serb Dacic, Ministri pa Portofol Aleksandar Vulin si dhe Ministrja Zoran Mihajlovic, janë pritur me duartrokitje nga qytetarët e mbledhur.
“Nuk na duhet bojkoti. Ata që bëjnë thirrje për bojkot, janë kundër shpresës. Duhet të dilni në zgjedhje sepse kjo është e vetmja mënyrë t’i ruajmë vendet e punës”, ka thënë Ministrja Mihajlovic në tubimin në Mitrovicën e Veriut.
Mediat serbe bëjnë të ditur se, forca të mëdha të sigurisë janë duke e vëzhguar situatën. Në mesin e tyre ka pjesëtar të Policisë së Kosovës, EULEX’it si dhe KFOR’it.
Në vend të ngjarjes shihen edhe autobusë dhe makina me targa të qyteteve të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë, gjë që tregon se një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në këtë tubim, nuk janë nga Veriu i Mitrovicës.