Serbi, Skoci, Rusi… kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në Ligën e Kombeve

Shqipëria ka arritur që të fitojë kundër Bjellorusisë mbrëmë për të marrë kreun e grupit të saj në Ligën C.

Sport

19/11/2020 09:15

Pas këtij triumfi do të arkëtohen më tepër të ardhura nga ana e kuqezinjve, që nga krahu tjetër do të ngjiten në një ligë më të lartë, pra në atë B. Atje gjenden kundërshtarë më të fortë në letër, por njëkohësisht rriten edhe mundësitë e kualifikimit për në Europian për shkakun e rëndësisë së grupit.

Me përballjet që do të nisin në mes vitit 2022-2023 është mësuar edhe ndarja e vazove. Fillimisht janë Kombëtaret e rëna nga Liga A si Bosnja, Islanda, Suedia dhe Ukraina ose Zvicra, pas shtyrjes së takimit mes këtyre dy Kombëtareve, që mban peng ende fatin e tyre.

Në vazon e dytë gjenden emra të tjerë të fortë si Norvegjia, Skocia, Rusia dhe Finlanda.

Ndërsa sa i përket vazos së tretë janë Kombëtare me të cilat jemi ndeshur në vitet e fundit si Rumania, Israeli, Serbia dhe Irlanda.

Ndërkohë në vazon e fundit të Ligës B janë Armenia, Mali i Zi dhe Sllovenia, me të cilat ne nuk mund të biem në të njëjtin grup pasi i përkasim të njëjtës vazo.