Serbi i dyshuar për terrorizëm ankohet se si po e trajtojnë mediat

Slobodan Gavriq i cili u arrestua nën dyshimin se po përgatiste akte terroriste në Prishtinë, është i kënaqur me trajtimin që ja ka bërë policia e Kosovës, por ankohet se si mediat po e trajtojnë rastin e tij, duke u shqetësuar edhe për reflektimin që ato mund të kenë në proces. 

Lajme

29/12/2014 09:36

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vizituar Slobodan Gavriqin, 46 vjeçar, shtetas i Serbisë, të cilit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Ai është i dyshuar për dy vepra penale, organizim i veprimit terroristë dhe futje të mjeteve shpërthyese në Kosovë.

 Sipas KLMDNj-së, i arrestuari S.G. ka deklaruar se gjatë arrestimit sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë korrekte dhe profesionale sikur edhe gjatë marrjes në pyetje në stacionin e Policisë.

KLMDNj thotë se atij i është caktuar një avokat zyrtar mbrojtjen e të cilit e ka pranuar për momentin ndërkaq tash kërkon avokat tjetër. 

“Edhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë sjellja ka qenë korrekte dhe aty, me kërkesën e tij i është vazhduar ofrimi i terapisë që e ka përdorur para se të arrestohej. I arrestuari S.G. deklaron gjithashtu se edhe pas caktimit të masës së paraburgimit nuk ka vërejtje në trajtim ndaj tij. I arrestuari deklaron se edhe prokurori i rastit dhe gjykatësi i procedurës kanë vepruar në përputhje me ligjin e procedurës. Gjatë tërë kohës së komunikimit me zyrtarët policorë dhe në gjykatë, i arrestuari ka komunikuar në gjuhën serbe ndërkaq që është lajmëruar edhe familja e tij përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë si dhe ka qenë i njoftuar për të drejtat që i takojnë pas arrestimit në bazë të të cilave edhe do të mbrohet. I arrestuari S.G. deklaron se është i shqetësuar për kampanjën mediale ndaj tij e që do të mund të reflektohet në trajtimin gjatë qëndrimit në paraburgim ose në procesin gjyqësor”, thuhet në një njoftim të KLMDNj-së.

KMDLNj e siguron të arrestuarin S.G. se do të vazhdojë të monitorojë trajtimin e tij gjatë qëndrimit nën arrest dhe respektimin e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria në përputhje me ligjet në fuqi.

Pas vizitës monitoruese dhe bisedës me të arrestuarin S.G., KMDLNj konstaton se nuk ka pasur shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe se trajtimi i të arrestuarit deri më tani ka qenë korrekt.