Serbët rrisin kushtin për FAK-un, kërkojnë dy mandate të rezervuara!

Spektri politik në Kosovë, me lehtësimin ndërkombëtar, kërkon sot kompromisin për formimin e Forcave të Armatosura dhe zgjidhjen e çështjes së 20 vendeve të rezervuara në Kuvend për minoritarët. Disa nga partitë politike pajtohen që pakicave tu rezervohen ulëset në parlament edhe për një mandat, por disa nga përfaqësuesit serbë tashti po kërkojnë dy mandate.

Lajme

30/04/2014 09:41

Pa një kompromis të tillë ndërmjet partive të shumicës dhe atyre të minoriteteve, do të ishte pak e imagjinueshme që të arrihet suksesi në votimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, shkruan “Tribuna”.

Themelimi i FAK si dhe vazhdimi i ulëseve të rezervuara kërkojnë ndryshime adekuate kushtetuese.

Përpos LDK-së e Vetëvendosjes, pjesa tjetër e spektrit politik po shprehet e gatshme që t’u vazhdojë pakicave mandatin e vendeve të rezervuara në shkëmbim të votave të tyre për themelimin e FAK-ut.

Mbështetje themelimit të FAK-ut, të martën i ka dhënë edhe ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson, e cila pritet të jetë edhe nikoqire e takimit të sotëm.

Ndërsa ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë e kosvoës, Nenad Rashiq, ka thënë se pa vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për dy mandate, do të ishte e paimagjinueshme që minoritetet të votojnë për krijimin e Forcave të Armatosura.

“Nëse nuk vjen deri te bisedimet për vendet e rezervuara dhe nëse nuk gjendet një kompromis, mendoj se në asnjë mënyrë nuk do të mund të vërtetoja dhe të them se do të votojmë formimin e Forcave të Armatosura”, është shprehur Rashiq, shkruan “Tribuna”.