Serbët ndalojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve te Kroi i Vitakut

Sot rreth orës 10 e 30, dhjetëra serbë kanë ndërprerë punimet e filluara për ndërtimin e gjashtë shtëpive të shqiptarëve në Lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës.

Lajme

02/07/2014 13:51

Kompania “Shpk Lili Grup” e cila kishte filluar punimet sot në ora tetë të mëngjesit, pas rreth dy orë e gjysmë pune, është penguar nga rreth 20 banorë serbë, të cilët me automjetet e tyre kanë bllokuar rrugën, duke pamundësuar kështu depërtimin e kamionëve të kësaj kompanie në thellësi të lagjes Kroi i Vitakut.

Nazmi Ismajli, përfaqësues i lagjes Kroi i Vitakut, ka thënë për Kosovapres se ndërprerja e punimeve ka ndodhur pa asnjë arsye.

“20 veta të cilëve u printe Dragolubi i kësaj lagje kanë bllokuar rrugën duke u pamundësuar kështu ndërtimin e shtëpive tona. Në mesin e tyre përveç Dragolubit i cili që tri vite po i pengon punimet ka pasur edhe përfaqësues të UNMIK-ut”, ka thënë Ismajli, raporton Kosovapress.