Serbët është dashur të shkojnë të votojnë në Serbi
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke krahasuar dyshtetësinë e Kosovës dhe atë Serbisë, tha se përderisa shqiptarëve të Kosovës me shtetësi shqiptare iu duhet të shkojnë në Shqipëri për të votuar, e njëjta gjë do të duhej të vlente edhe për serbët e Kosovës.

Lajme
Kryeparlamentari Krasniqi tha se duhet t’i thuhet qartë opinionit nëse mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë ose jo.
Duke krahasuar dyshtetësit e Kosovës me atë të Serbisë, Krasniqi tha se shqiptarët e Kosovës , që kanë shtetësi shqiptare, nëse duan të votojnë për Shqipërinë shkojnë votojnë atje. Të njëjtën gjë, tha ai, do të duhej të aplikohej të dielën, kur serbët votuan në Kosovë, për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
“Unë mendoj se opinionit tonë duhet t’i thuhet qartë që nëse mbahen zgjedhje, ‘po mbahen zgjedhje’, nëse nuk mbahen, thuhet edhe arsyeja pse nuk mbahen zgjedhjet”.
“Por ne nëse bëjmë një krahasim në mes dy shtetësive të dy vendeve, shqiptarët e Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë shqiptare, kur bëhen votimet në Shqipëri shkojnë votojnë në Shqipëri, nuk votojnë në Kosovë”.
“Unë mendoj që e njëjta gjë është dashur të vlejë edhe për pjesën tjetër”.
“Unë nuk jam organ që përcakton shkeljet. Është Prokuroria dhe është Gjyqësori. Unë e kam thënë një mendim timin”.
Pas takimit të Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Krasniqi foli edhe reformën zgjedhore, që sipas tij mund të hyjë në rend dite gjatë seancës të së enjtes.
“Nëse komisioni e përgatit në ndërkohë raportin me rekomandime, ky projektligj mund të hyjë në seancën e së enjtes, por paraprakisht seanca duhet ta bëjë shmangien me 80 vota, që pastaj të hyjë në rend dite për lexim në parim”, tha kryeparlamentari.