Serbët e veriut po e pengojnë procesin e privatizimit

Privatizimi i ndërmarrjeve publike në pjesën veriore të Kosovës, po pengohet nga serbët lokal. Ata ankohen se këto ndërmarrje po shiten lirë dhe pa konsultim me organet lokale. 

Lajme

25/07/2014 16:18

Serbët e pjesës veriore të Kosovës, kanë vendosur që të pengojnë privatizimin e ndërmarrjeve publike në këtë pjesë.

Sipas mediave serbe, ata do të pengojnë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), që të shesë 11 ndërmarrjet që gjenden në pjesën veriore të lumit Ibër.

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, i cili është edhe anëtarë i grupit për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, ka thënë për të përditshmen serbe “Novosti” se AKP, pa respektuar qeverisjen lokale, ka tentuar të shes pronën e disa ndërmarrjeve në këtë pjesë, “ato janë ndërmarrja tregtare ‘Univerzal’ dhe një pjesë e ‘Kristalit”.

“Pa dijeninë tonë dhe pa konsultimet me qeverisjen lokale, kanë shitur pronën e ‘Univerzalit’ për vetëm 50 mijë euro, e cila vlen më shumë se 100 mijë euro”.

“Në mënyrë të njëjtë, një kompanie nga Vushtrria të udhëhequr nga një serb, dhe siç e dimë, pas tij që qëndron një shqiptar, i është shitur shtëpia e mallrave në qendër të Leposaviqit. Ne nuk i kemi lënë ata që të futën në këtë objekt dhe as që do t’i lëmë as në të ardhmen”.

Ai ka thënë se nuk do të lëmë që Prishtina t’i shesë ndërmarrjet publike në këtë pjesë, pasi që sipas tij, nga ky veprim do të mbesim pa punë rreth 500 punëtorë.