Serbët e kushtëzojnë heqjen e barrikadës
Shefja e Zyrës Administrative në veriun e Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka deklaruar se punët në rivitalizimin e urës mbi Ibër janë kushtëzuar nga serbët me nënshkrimin e Memorandumit në mes të kryetarëve të dy komunave të Mitrovicës me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas parashikimeve, Marrëveshja për Heqjen e Barrikadës ka dështuar.

Lajme
Tani kur po afrohet 15 qershori, dita kur do të duhej të lëshohej për qarkullim të automjeteve ura kryesore mbi lumin Ibër dhe kur do të duhej përfundimisht të largohej barrikada e gjelbër, të cilën serbët e kanë quajtur “Park i paqes”, kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, në vargun e shumë premtimeve që i ka dhënë për urën dhe barrikadën, ka dalë edhe me një premtim të ri. Ai ka deklaruar se barrikada do të largohet në fund të qershorit, edhe pse asnjë punë nuk ka filluar për rivitalizimin e urës, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.
Madje, ai ka pranuar se Marrëveshjen nuk po e nënshkruan pala serbe, respektivisht homologu i tij, Goran Rakiq. Tashmë të gjithë në Mitrovicë e thonë se rivitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, që ishte planifikuar të përfundojë më 15 qershor, sipas Marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ka dështuar.