Selimi kërkon masa për dëshmitarët e mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje nga palët tjera

Mbrojtja e Rexhep Selimit përmes një parashtrimi ka kërkuar nga trupi gjykues që të vendosen masa lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes nga palët e tjera, në rastin ku i njëjti akuzohet për krime lufte bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Në kërkesën e 17 korrikut 2025, mbrojtja kërkon…

Lajme

04/08/2025 11:04

Mbrojtja e Rexhep Selimit përmes një parashtrimi ka kërkuar nga trupi gjykues që të vendosen masa lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes nga palët e tjera, në rastin ku i njëjti akuzohet për krime lufte bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.

Në kërkesën e 17 korrikut 2025, mbrojtja kërkon nga trupi gjykues që marrja në pyetje e dëshmitarëve të mbrojtjes të kufizohet në përmbajtjen e pyetjes direkte, çështje të besueshmërisë ose provave relevante të palës që merr në pyetje. Aty thuhet se edhe kur Prokuroria është ajo që merr në pyetje, provat që ajo synon të nxjerrë për çështjen e saj duhet të kufizohen në çështjet e trajtuara në mënyrë të konsiderueshme gjatë fazës së saj kryesore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Veç kësaj, është kërkuar që të urdhërohen palët që marrin në pyetje dëshmitarët, t’iu ndalohet nxjerrja e provave që lidhen me aktet dhe sjelljen e një bashkë të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

Ndryshe, më 16 korrik 2025, mbrojtja e Selimit dhe ajo e Veselit i kishte njoftuar palët dhe trupin gjykues që nuk ka ndërmend që të paraqes çështje mbrojtëse. Ndërsa, ajo e Krasniqit dhe e Thaçi kanë deklaruar se do të thërrasin dëshmitarë.

Sipas Selimit, jurisprudenca e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka theksuar se të akuzuarit që gjykohen së bashku kanë të drejta ngjashëm sikur ata të gjykohen vetëm.

Selimi përmes mbrojtjes së tij ka thënë se është detyrë e trupit gjykues që të sigurojë që ai të gëzojë të njëjtat të drejta që do të kishte pasur nëse do të gjykohej veçmas në kontekstin e paraqitjes së provave të ardhshme nga bashkë të akuzuarit.

“Në veçanti, Paneli Gjyqësor kërkohet që: (i) të vendosë kufizime mbi përmbajtjen e marrjes në pyetje nga palët kundërshtare; (ii) të kërkojë që ZPS-ja të plotësojë standardin e “provave të reja” për të pranuar prova përmes marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Mbrojtjes; (iii) të ndalojë palët kundërshtare nga paraqitja e provave që kanë të bëjnë me aktet dhe sjelljet e një të Akuzuari që nuk ka thirrur atë dëshmitar; dhe (iv) të lejojë ekipet e Mbrojtjes që të rihapin marrjen në pyetje nëse dalin çështje të reja të rëndësishme gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.

Në kërkesë po ashtu thuhet se në përputhje me Rregullin 143 (3) të përmendur në urdhrin për zhvillimin e procedurës, marrja në pyetje e dëshmitarëve të mbrojtjes duhet të kufizohet në çështje që dalin nga pyetja direkte, çështje që ndikojnë në besueshmërinë e dëshmitarit dhe në prova që kanë të bëjnë me çështjen e palës që merr në pyetje.

Mbrojtja e Selimit thotë se dëshmitarët që thirren nga të akuzuarit e tjerë mund të kenë njohuri për ngjarje jashtë atyre që përfshihen në deklaratat e tyre ose në pyetje direkte nga mbrojtja e cila i ka thirrur.

“Në rrethanat aktuale, ku z. Selimi ka vendosur të mos paraqesë një rast mbrojtës, drejtësia dhe mbrojtja e të drejtave të tij kërkojnë që Rregulla 143 (3) të interpretohet në përputhje me parimet e Rregullës 127. Kjo do të thotë që marrja në pyetje të mos lejojë paraqitjen e re të provave që ZPS-ja ka dështuar t’i paraqesë në fazën e saj kryesore”, thuhet në kërkesë.

Prandaj, u kërkua që pyetjet e ZPS-së të kufizohen vetëm drejtpërdrejt me pyetjen e bërë, besueshmërinë e dëshmitarëve ose me çështje që janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë paraqitjes së provave të Prokurorisë, e jo në pyetje të tërthorta.

Ndërsa, lejim i marrjes në pyetje në fusha shtesë, mbrojtja thotë e ka rrezik në zgjerimin e akuzave ndaj Selimit apo ndryshimin e përgjegjësisë së tij, gjë e cila është e dëmshme që nuk do të duhej të ndodhë nëse ai do të gjykohej i vetëm dhe pa paraqitur mbrojtje.

Sa i përket provave të reja, mbrojtja e Selimit thotë se barra e provës i takon ZPS-së për të provuar fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm gjatë fazës kryesore, kur ajo dëshiron të paraqesë prova pas mbylljes së asaj faze, ajo duhet të tregojë se provat në fjalë nuk mund të siguroheshin dhe të paraqiteshin më herët me kujdes të arsyeshëm.

Sipas mbrojtjes, nëse kjo vonesë justifikohet, trupi gjykues duhet t’i pranojë ato vetëm në rrethana të jashtëzakonshme kur interesi i drejtësisë e kërkon një gjë të tillë.

“Kjo kërkesë vlen edhe për materiale që ndodhen në listën e provave të Prokurorisë, por që nuk janë paraqitur gjatë fazës kryesore. Të vendosësh ndryshe do të nënkuptonte anashkalimin e detyrimit të ZPS-së për të mbyllur çështjen e saj në mënyrë të plotë dhe në kohën e duhur”, thuhet në vendim.

Për ta mbrojtur Selimin nga çdo paragjykim i pajustifikuar, mbrojtja thotë se është e nevojshme që të ndalohet ZPS-ja nga paraqitja e provave që lidhen me akte dhe sjelljen e të akuzuarit edhe nëse ato lidhen me çështje që janë trajtuar më herët nga ZPS.

Mbrojtja thotë se nga dalja e pretendimeve të reja, paragjykimi që rezulton nuk do të zbutet në mënyrë të mjaftueshme, duke marrë parasysh përpjekjet e gjera hetimore që nevojiten për të kundërshtuar në mënyrë efektive pretendime të tilla.

Selimi përmes mbrojtjes së tij thotë se rregullat nuk e parashohin mundësinë që një ekip që ka vendosur që të mos thërrasë dëshmitarë, ta ndryshojë më pas njoftimin e vet dhe të hapë çështje për të paraqitur materiale.

“Prandaj, Mbrojtja mund të privohet nga mundësia për të paraqitur dhe për të nxjerrë prova që kundërshtojnë pretendime kritike lidhur me aktet dhe sjelljet e z. Selimi…”, thuhet në parashtrim.

Ndërsa, sa i përket urdhrit për zhvillimin e procedurave që përcakton marrjen në pyetje të një dëshmitari- fillimisht nga mbrojtja që e ka thirrur, pastaj ekipet tjera mbrojtëse, Prokuroria dhe krejt në fund mbrojtësi i viktimave, Selimi ka thënë se ky rend nuk e lejon rihapjen e marrjeve në pyetje.

Andaj, mbrojtja e Selimit, kërkoi që mbrojtjes t’i njihet e drejta për të rihapur marrjen në pyetje të një dëshmitari nëse gjatë marrjes në pyetje nga palë të tjera dalin çështje ose prova të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në çështjen e saj.

Sipas mbrojtjes, në rastin e Selimit, ndalimi i kësaj mundësie do të shkaktonte paragjykim të rëndë. Prandaj, kërkohet ndryshimi i paragrafit 112 të Urdhrit mbi Zhvillimin e Procedurave për të garantuar të drejtën e mbrojtjes për ballafaqim të plotë me dëshmitarët.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130 e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.