Sekuestrohet prona milionëshe në Veternik e cila dyshohet se u fitua me vepër penale
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2025, ka urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, ku Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Legalizim të përmbajtjes se rreme” dhe “mashtrimit”. Ky vendim vjen pasi Apeli e ktheu për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe,…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2025, ka urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, ku Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Legalizim të përmbajtjes se rreme” dhe “mashtrimit”.
Ky vendim vjen pasi Apeli e ktheu për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar.
Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021 i është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.
“Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.
Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin e 11 shtatorit ka ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0.
Gjithashtu, është urdhëruar Komuna e Prishtinës që të mos bëjë bartje/regjistrim apo tjetërsime që kanë të bëjnë me këtë ngastër.
Të pandehurit Ylber Hyseni, Kompanisë Lirimi &ACL dhe gjithë bashkëpronareve tjerë në këtë pronë iu është ndaluar shitja apo transferimi i pronës për shkak se dyshohet se është fituar me vepër penale.
Këtë urdhër do ta ekzekutojë Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohet që ta zbatoj këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e Sekuestruar.
Në anën tjetër, edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës është obliguar ta zbatoj këtë urdhër ndalues përfundimtar.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se pas pranimit të aktvendimit të kolegjit të Gjykatës se Apelit, duke marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet, ka analizuar të gjitha shkresat e lëndës dhe konsideron se prokuroria me prova të artiukuleshme vërteton standardin e dyshimit të bazuar se i pandehuri Ylber Hyseni ka kryer veprat penale “legalizimi i përmbajtjes se rreme”, dhe “mashtrimi”.
Sipas Gjykatës, nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, sipas mendimit përfundimtar të eksperteve konstatohet se gjurma e vulës EX1 nuk përputhet me gjurmët e vulave EX2, dhe nuk janë shtypur nga makina e njëjtë e shkrimit.
Gjithashtu, të pjesa e nënshkrimit të pjesa “Sekretar”, nuk janë shkruar nga shkruesi i njëjtë. Gjykatës, i janë bashkëngjitur edhe prova tjera për këtë pronë.
Tutje, thuhet se Prokuroria, ka specifikuar pasurinë për të cilën kërkohet lëshimi i urdhrit ndalues përfundimtar, që është një prej kushteve ligjore.
Gjykata thotë se është përmbushur edhe kushti se konfiskimi i pasurisë pasuria e specifikuar është i nevojshëm për të ruajtur disponueshmerinë e pasurisë në të ardhmen, përfshirë parandalimin e zvogëlimit të vlerës se pasurisë. Kjo pasi, sipas Gjykatës kjo pasuri është e nevojshme të ndalohet pasi dyshohet se është fituat me vepër penale.
Gjykata ka gjetur se Prokuroria ka provuar faktin se palët që kanë interes në pasurinë e specifikuar janë njoftuar nga prokurori i shtetit lidhur me kërkesën për lëshimin e urdhërit ndalues përfundimtar.
Veç kësaj, Gjykata më 29 prill 2024, ka mbajtur seancën dëgjimore, ku përfaqësuesi me autorizim i palëve, avokati Venhar Hana ka kundërshtuar kërkesën për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar, duke thënë se provat e prokurorisë nuk paraqesin as standardin minimal të dyshimit të bazuar se prona është fituar me vepër penale.
Edhe blerës tjerë në këtë pronë kishin kundërshtuar ndalimin e pronës, duke thënë se ata kanë blerë token në mënyrë ligjore, për çka posedojnë edhe dëshmi.
Por, Gjykata thotë në arsyetim se pas analizimit të të gjitha provave ka gjetur se kërkesa e prokurorisë është e bazuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.
Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.
Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë.
Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.
Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KËTU.
Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.
Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.
Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.
Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.