Sekuestrohen tri armë dhe arrestohen dy persona në Podujevë për keqpërdorim të kartelave bankare

Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Podujevë nën dyshimin për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare dhe krime kibernetike. Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës,…

Lajme

13/02/2026 16:02

Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Podujevë nën dyshimin për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare dhe krime kibernetike.

Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës, transmeton lajmi.net.

Gjatë aksionit janë kontrolluar tri lokacione në Podujevë, pasi dyshohej se dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, kishin shpërndarë në rrjete sociale video dhe fotografi ku shfaqeshin kartela të mbushura me shuma të ndryshme parash dhe të gatshme për blerje. Sipas Policisë, të dyshuarit, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm.

Ata dyshohen për veprat penale “lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy llaptopë, tre telefona mobilë, kartëmonedha imituese prej 5, 10 dhe 20 euro, një kartelë e bardhë, si dhe tri armë pistoleta me gaz me gjithsej 17 fishekë.

Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të veprimeve procedurale, dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë./lajmi.net/