Sekuestrohen asete në vlerë 1 milion euro, publikohet video gjatë aksionit

Policia e Kosovës ka publikuar videon gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë, në lidhje me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës. Policia informon se operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës,…

Lajme

06/07/2026 12:06

Policia e Kosovës ka publikuar videon gjatë sekuestrimit të aseteve me vlerë 1 milion euro në Kosovë, në lidhje me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës.

Policia informon se operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës, i realizuar nga autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuara nga Europol dhe Eurojust, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës.

“Analiza e materialit të sekuestruar gjatë hetimit, së bashku me informacionin e marrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar në ekzekutimin e një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike të paraqitur nga autoritetet gjyqësore italiane, i mundësoi hetuesve të identifikonin llogaritë bankare, interesat e biznesit, pasuritë e paluajtshme dhe automjetet me vlerë të lartë në pronësi të një çifti të martuar shtetas të Kosovës që banojnë në Itali. Çifti, i cili është nën hetim penal në Itali me dyshimin për pastrim parash, u arrestua në Francë në shtator 2025. Policia kishte zbuluar më shumë se 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura brenda në ndarjeje të modifikuar të dy automjeteve”,thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, po në shtator 2025, ishin sekuestruan të ardhura të tjera nga veprimet kriminale me vlerë më shumë se 30 milion euro. Këto asete ishin të lidhura me një rrjet kriminal transnacional të angazhuar në pastrimin e të ardhurave të gjeneruara nga trafikimi i drogës në Francë nga individë të lidhur me grupe kriminale në Francë.

“Sipas autoriteteve, konvertimi i parave të gatshme në ar shërbeu për një qëllim të dyfishtë: fshehjen e origjinës së paligjshme të të ardhurave kriminale dhe lehtësimin e fshehjes dhe transportit të tyre ndërkufitar, veçanërisht në Kosovë, Turqi dhe Marok.

Në ekzekutimin e kërkesës për ndihmë të ndërsjellë ligjore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ndërmori të gjitha masat e nevojshme procedurale dhe hetimore, duke rezultuar në identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve brenda territorit të Republikës së Kosovës me një vlerë të vlerësuar prej afërsisht 1 milion eurosh.Europol dhe Eurojust ofruan mbështetje të konsiderueshme gjatë gjithë hetimit duke lehtësuar bashkëpunimin gjyqësor dhe operacional ndërkufitar midis autoriteteve italiane, franceze dhe atyre të Kosovës, të cilat kanë luajtur një rol kyç në identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale në juridiksione të shumta”. /Lajmi.net/

Video e plotë: