Seksi që i mungon Vetëvendosjes

“Mashkulli e do femrën e veçantë. Femra e do mashkullin". Kështu, duke e parafrazuar Simone de Beauvoir, ishte shprehur në një intervistë Albin Kurti. Por, ai nuk e kandidoi asnjë grua në garën për kryetarë komunash. Asnjë. A po e kërkon edhe ai "femrën" e veçantë në Vetëvendosje? Ja edhe një citat: “Ndoshta femrat do të mund ta shpëtonin shoqërinë në Kosovë.” Oops!

Lajme

29/08/2017 15:42

Përtej shakave (t’mia), është mirë të shtjellohet debati që ky veprim shkaktoi kryesisht nëpër rrethe kafenesh: a duhet aplikuar qasja marksist-feministe, pra a duhet të përkrahen gratë e klasës së mesme të lartë dhe si i shërben kjo lëvizjes së përgjithshme për të drejtat e grave? Një pyetje tjetër e zakonshme është ajo që lidhet me performativitetin, pra çfarë nënkupton një veprim (në rastin tjetër, një mosveprim) i tillë nga një organizatë, çfarë mesazhesh jep? Një tjetër dilemë që shfaqet, nuk është fare dilemë. Në Lëvizje ka gra të afta, shkathta e premtuese për garën për kryetare komune. Aida Dërguti, Albulena Haxhiu, Shqipe Pantina, Teutë Rrusta, Donika Çapriqi, Gurjetë Zeka, Etleva Malushaj, Tinka Kurti, janë vetëm disa që më vijnë në mend.

Fillimisht, Lëvizja mund ta arsyetojë veprimin e saj përmes qasjes marksist-feministe. Mirëpo frika ime qëndron në atë se një përgjigje e tillë vështirë se do të krijonte kuptim. Së pari, pavarësisht qëndrimeve të hapura marksiste të disave në Lëvizje, organizata nuk ka një përcaktim të qartë për atë qasje. Por, edhe nëse ka, Vetëvendosje ka qenë vazhdimisht selektive në lidhje me sistemin. Është marrë me të korruptuar pa e qëmtuar korrupsionin si dukuri. Është marrë me hajdutë, pa u angazhuar në zhbërjen e fenomenit. Diskursi i derisotëm me parullën e famshme ‘hajnat n’burg!’ e të tjera si kjo, është konformimi me këtë sistem, dmth nuk ka lidhje me marksizmin e revolucionin. E thjeshtë sa kaq. Përtej këtij argumenti, feministet marksiste edhe brenda Lëvizjes duhet ta kenë autonominë dhe të mos e subordinojnë kauzën feministe ndaj asaj marksiste, sepse vetëm analiza feministe mund të shpërfaqë karakterin sistemik të marëdhënieve ndërmjet grave dhe burrave.

Motivi kryesor për këtë reagim është kryekëput i lidhur me karakterin progresiv që kjo organizatë ka. Vetëvendosje, është e vetmja parti me të cilën mund të shtrohet një debat i llojit të këtillë, dhe e vetmja parti të cilës do t’i kërkoja angazhim më të madh të gruas në vendimmarrje, për dallim të partive të tjera të cilat janë veçse përforëcuese të normave patriarkale në shoqërinë tonë.

Mosvendosja e asnjë gruaje në garën për kryetare komune nuk e pranon një luftë të gjithanshme për të drejtat. E bën njëfarë ekskomunikimi të të shtypurve. Qasja e tillë nuk ngurron të bëjë monolog për të shtypurit pa i parë e pa i njohur ata. Nëse kërkohet njëfarë bote e formave e Platonit, ajo s’mund të synohet të arrihet në kurriz të grave. Rrezikojmë të shndërrohemi në arrivistë.

Asnjë grua nuk u kandidua për kryetare komune. Jo 50 për qind, jo 25 për qind. Asnjë qind. Nga kjo del se, gratë nuk kanë as pse të duken, e as çka të thonë. Për VV-në, parë nga ky kuptim, nuk ka asnjëfarë rëndësie nëse kandidatët për kryetare komunash janë të gjithë të një gjinie. Pra, mund të pritet që në zgjedhjet e ardhshme, VV-ja t’i kandidojë për kryetare komunash të gjitha gra. Epo, ja që kjo nuk do të ndodhë. Në anën tjetër, Lëvizja ka kohë për partikularitetin e quajtuar nacionalizëm, por jo edhe për partikularitetin e quajtur feminizëm. Jo edhe për të drejtat e grave. Nuk mund të luftohet për të drejtat e grave pa i vetë se cka mendojnë, pa ua bërë të dukshme qenien. Kush pra do të angazhohet për përmirësimin e jetës së grave në këtë shoqëri tepër patriarkale nëse ato vet jo? Askush.

Për më tepër, nuk është ndonjëfarë zbulimi të thuhet se politika në demokraci ka të bëjë me imazhet, performativitetin: opinionin e publikut, demosin, etj.. A duhej që Lëvizja ta prodhonte një imazh fallusesh në këtë kohë? Për të dhënë një shembull se sa i rëndësishëm është imazhi në politikë: paramendojeni një protestë të Vetëvendosjes pa asnjë flamur të Shqipërisë. Judith Butler thotë që ajo çfarë shohim në një protestë “është ushtrimi – quhet performativitet – i të drejtës për t’u dukur, një kërkesë me anë të trupave për disa jetë më të jetueshme.” Si ka bërë Lëvizja politikë më shumë se me protesta? Ose, kujtojeni debatin mbi kravatat këtë verë – kravatat pra ishin një mesazh vizual i krerëve të Lëvizjes se ata kanë bërë progres nga qëndrimet politike radikale drejt qëndrimeve më liberale. Pa kravata ishin pjesë e popullit, tani janë bërë pjesë e elitës. Një element shumë i vogël imazhi sjell një kuptim krejt tjetër mbi idetë, përmbajtjen. Për ta përmbyllur me punën e shembujve, Lëvizja e ka përdorur politikën e grafiteve për të qenë pjesë e debatit politik. Ju lutem!

Gratë votojnë në zgjedhje, dhe herën e fundit ato votuan për ndryshim. Ato po ia japin besimin Lëvizjes, por jo edhe Lëvizja atyre. Mospërfshirja e grave në garë është mosrespekt edhe për aktivistet e kahmotshme të kësaj organizate, të cilave u duhet dhënë mundësia që ta besojnë një prag më të lartë të karrierës politike. Përfundimisht, nuk është puna me i vendosë disa gra të paafta në garë, por me e marrë mundin me i vërejtë gratë e afta. Me ua lëshu reflektorin. E të tilla në Lëvizje ka mjaft.