Sekretari amerikan i Shtetit uron Shqipërinë: Vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë
Sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku ka vlerësuar bashkëpunimin në mes Tiranës dhe Amerikës. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, shprehet Rubio në reagimin…
Lajme
Sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku ka vlerësuar bashkëpunimin në mes Tiranës dhe Amerikës.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, shprehet Rubio në reagimin zyrtar.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në angazhimin e përbashkët për siguri dhe prosperitet.
Rubio nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si aleate në NATO dhe kontributet e saj në mbrojtjen.
Mesazhi i plotë i Rubio:
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.
Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”, shkruan Rubio.