Sejdiu: Vrasja e Enver Maloku nuk parashkruhet

Enver Malokun në 16-vjetorin e vrasjes e ka përkujtuar edhe ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Lajme

11/01/2015 14:05

Në një postim në Facebook, ish presidenti i vendit dhe ish-kreu i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka përkujtuar vrasjen e para 16 vjetëve të gazetarit Enver Maloku. Sejdiu ka deklaruar se Malokun e vranë ata që nuk e deshën fjalën e lirë.

“E vranë ata që nuk e deshën fjalën e guximshme. E vranë kundërshtarët e lirisë së Kosovës!”.

“Enver Maloku i takon plejadës më të guximshme të gazetarëve dhe publicistëve të Kosovës i cili asnjëherë nuk e rrudhi ndjenjën e tij për të shprehur atë që e ndjente për jetën, për proceset e udhëkryqeve të mëdha e të ndjeshme të Kosovës. Ai asnjëherë nuk u lëkund nga përcaktimet themeltare të luftës politike dhe të luftës së përgjithshme për pavarësinë e Kosovës”.

Sejdiu  e ka përshkruar Malokun si gazetar të patrembur dhe të afërt me filozofinë rugoviane, por po ashtu edhe si një mbështetës të fuqishëm të rezistencës së armatosur në Kosovë.

Ai ka rikujtuar një intervistë të pabotuar të Malokut vetëm pak ditë para vrasjes dhënë për gazetën “Bujku”, që nxirrej nga gazetarët e së përditshmes Rilindja, ku ka parandjerë “shpërblimin me plumb”.

“U vra në janarin e vrasjes së burrave të dheut! Sot ende nuk janë gjendur vrasësit e porositur. Vrasja e tij nuk parashkruhet!”, ka shkruar Sejdiu.

Enver Maloku u vra më 11 janar të vitit 1999 nga persona të panjohur derisa po kthehej në banesën e tij në “Bregun e Diellit”.