Seanca për sulmin në Banjskë- tre të dyshuarit sillen para trupit gjykues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është duke u mbajtur seanca e parë për rastin e sulmit  në Banjskë. Seanca kundër Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq veçse ka filluar. Në sallë tanimë janë sjellë të dyshuarit në lidhje me rastin e Banjskës, e që vazhdojnë të jenë në Kosovë. Tre të akuzuarit u…

Lajme

17/04/2025 09:54

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është duke u mbajtur seanca e parë për rastin e sulmit  në Banjskë.

Seanca kundër Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq veçse ka filluar.

Në sallë tanimë janë sjellë të dyshuarit në lidhje me rastin e Banjskës, e që vazhdojnë të jenë në Kosovë.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati. Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.

Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.

Një vendim i tillë ende nuk është marrë./Lajmi.net/