Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, letra e Deharit arrin në Presidencë
Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga Kuvendi i Kosovës pasi ditën e martë dështoi të konstituohet legjislatura e nëntë me radhë. Tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka pranuar letrën e dërguar nga drejtuesi i seancës dje, deputeti Avni Dehari. Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina. Ai…

Lajme
Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga Kuvendi i Kosovës pasi ditën e martë dështoi të konstituohet legjislatura e nëntë me radhë.
Tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka pranuar letrën e dërguar nga drejtuesi i seancës dje, deputeti Avni Dehari.
Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.
Ai gjithashtu njoftoi se tashmë ekipi ligjor i Osmanit po e analizon letrën apo kërkesën në fjalë.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë Kupina.
Ndryshe dje ka dështuar tentativa e parë e për të konstituar Kuvendin e Kosovës, kjo pasi dështoi të votohej raporti për konfirmimin e mandatave e cila u kundërshtua nga PDK, LDK e AAK.
Kësisoj kryesuesi i kuvendit Avni Dehari u detyrua ta ndërpresë seancën.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.
Në lidhje me këtë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kritikuar partitë opozitare që sipas tyre bashkë me Listën Serbe kanë bashkëpunuar që të dështoj konstituimi. Kurse nga PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se në fakt nuk bëjnë shkelje të ligjit e Kushtetutës vetëm pse Albin Kurti dhe ministrat e tij nuk janë dorëhequr me kohë.
Sipas tyre, Kurti dhe ministrat po bëjnë shkelje derisa pas dorëheqjes po vazhdojnë të dalin në zyre.
Nuk dihet se si do të zhvillohet situata tutje- por sipas ligjeve brenda 48 orëve duhet thirrur seanca e radhës e nëse dështon thirrja tjetër duhet bërë sërish pas 48 orëve të tjera.
Mbetet të shihet nëse vendi do dalë nga një situatë që mund të shkojë drejt bllokadës institucionale- apo ndoshta vendi do t’u kthehet sërish zgjedhjeve./Lajmi.net/