Seanca e radhës për Thaçin dhe të tjerët në Dhomat e Specializuara mbahet më 27 tetor 2025
Seanca e ardhshme gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është caktuar të mbahet më 27 tetor 2025. Në informimin javor të mbajtur nga kjo gjykatë, zëdhënësi Michael Doyle njoftoi se gjatë javës së kaluar është publikuar versioni i redaktuar i dosjes së…

Lajme
Seanca e ardhshme gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është caktuar të mbahet më 27 tetor 2025.
Në informimin javor të mbajtur nga kjo gjykatë, zëdhënësi Michael Doyle njoftoi se gjatë javës së kaluar është publikuar versioni i redaktuar i dosjes së procedurës paraprake të Prokurorisë në rastin kundër Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, transmeton lajmi.net.
Sipas Doyle, Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave personale në objektin e paraburgimit, ka shpërndarë në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme informacione konfidenciale, përfshirë identitetin dhe dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në kundërshtim me urdhrat e gjykatës. Ai gjithashtu thuhet se ka dhënë udhëzime konkrete për mënyrën e dëshmisë së dëshmitarëve.
Dosja paraprake përfshin edhe prova dhe pretendime që lidhen me rolin e katër të akuzuarve të tjerë në këtë rast.
Zëdhënësi theksoi se të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ai konfirmoi gjithashtu se paraburgimi ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut vazhdon.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë organizojnë çdo të enjte, në orën 14:30, informime javore përmes platformës “Zoom”, ku japin përditësime mbi zhvillimet gjyqësore dhe aktivitetet e tjera të gjykatës./lajmi.net/