Më së shumti ryshfet jepet në Taxhikistan, shikoni ku është Kosova

Në Taxhikistan, ku ryshfetet për shërbimet publike që do të duhej të ishin të qasshme për të gjithë dhe pa pagesë, paguajnë rreth 59 për qind e qytetarëve, në Moldavi 42 për qind dhe Rusi 34 për qind.

Lajme

16/11/2016 18:05

Rumania është vendi me shkallën më të lartë të pagesës së ryshfetit për shërbimet publike, në mesin e vendeve të BE-së, dhe Lituania e pason me 24 për qind.

Në rajonin e Ballkanit, për shërbime publike më së shumti ryshfet jepet në Bosnje, 27 për qind, në Serbi 22 për qind, kurse në Kroaci dhe Kosovë rreth 10 për qind, thuhet në raporton e Transparency International (TI), transmeton lajmi.net.

Një nga gjetjet kryesore të raportit është se një numër i madh i qytetarëve, edhe brenda BE-së, mendojnë se individë të pasur kanë shumë ndikim në vendimet që i marrin qeveritë.

Në vendet kandidate për anëtarësim në BE, përqindja arrin në 44, kurse në vendet e ish Bashkimit Sovjetik në 46 për qind.

“Korrupsioni është një problem thelbësor në gjithë Evropën dhe në rajonin e Azisë Qendrore. Në vendet e BE-së shumë qytetarë shohin se si të pasurit dhe zyrtarët e qeverive shtrembërojnë sistemet në dobi të tyre”, thotë Jose Ugaz, kryetar i TI-së.

Një prej problemeve kryesore në luftën kundër korrupsionit është mungesa e mbrojtjes së atyre që flasin kundër korrupsionit. /Lajmi.net/