“S’do të largohem nga mbledhja, thoni çka të doni- as nuk votoj, as nuk diskutoj” – Pas shkarkimit të Kelmendit, Qalaj në mbledhjen e Këshillit

Është duke u zhvilluar mbledhja e radhës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në këtë mbledhje, për dallim nga dy të kaluarat të pranishëm janë një numër më i madh i anëtarëve. Pas shkarkimit të U.D Kryeprokurorit të Kosovës, Besim Kelmendi, Këshilli zgjodhi që këtë detyrë ta ushtrojë Agron Qalaj. Qalaj u zgjodhë si ushtrues detyrë…

Lajme

01/12/2025 11:32

Është duke u zhvilluar mbledhja e radhës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në këtë mbledhje, për dallim nga dy të kaluarat të pranishëm janë një numër më i madh i anëtarëve.

Pas shkarkimit të U.D Kryeprokurorit të Kosovës, Besim Kelmendi, Këshilli zgjodhi që këtë detyrë ta ushtrojë Agron Qalaj.

Qalaj u zgjodhë si ushtrues detyrë i Kryeprokurorit të Kosovës me pesë vota nga pesë anëtarë të Këshillit të cilët ishin të pranishëm. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor nga disa, ndërsa vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

Qalaj sot është prezent në mbledhjen e këtij këshilli. E me këtë rast Qalaj  deklaroi se se pjesëmarrja e tij është vetëm si anëtar ex-officio.

“I nderuar kryesues i Këshillit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtar, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”, transmeton lajmi.net.

Në këtë mbledhje është kërkuar nga disa prej anëtarëve që ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj të largohet nga mbledhja e 279-të e Këshillit Prokuroria të Kosovës, ai tha se nuk do të largohet dhe se ai nuk do të marrë pjesë në votim, në diskutim e as në vendimmarrje.

“Do të marrë pjesë në këtë takim në përputhje me ligjin. Nuk e kam fare mendjen me u marrë me asnjë pikë. Që ta keni të qartë ju lutem. Nuk do të përfshihem në diskutime e as në proces të vendimmarrjes që do të paraqiten sot, duke mbajtur qëndrim neutral deri në vendim. Po shprehem qartë dhe shqip nuk do të përfshihem në diskutime, votim dhe vendimmarrje. Andaj nuk preferoj të largohem në formën që duhet të largohem. Thoni çka të doni por unë nuk do të diskutojë”, tha Qalaj.

Mbledhja e Këshillit nisi me një orë vonesë nga ora e planifikuar, ndërsa Qalaj nënvizoi se roli i tij në këtë fazë është të sigurojë procesin dhe të ruajë neutralitetin deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor.

Kurse vetë Kelmendi ka paditur Këshillin Prokurorial, si dhe ka kërkuar që vendimi të anulohet./Lajmi.net/