S’bën të ndalemi në përkujtimin e dëshmorëve të lirisë
Është përkujtuar në 16-vjetorin e rënies së tij komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra.

Lajme
Vepra dhe ideali i tij për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj është vlerësuar lartë nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit. Me këtë rast, Posta e Kosovës lansoi pullën postare me figurën e Ilaz Kodrës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në emër të kryeministrit Isa Mustafa, tha se asnjëherë nuk bën të ndalemi në nderimin e idealit të komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë.
“Para figurës dhe veprës së Ilaz Kodrës dhe gjithë atyre që ndoqën shembullin dhe rrugëtimin e tij ne kemi një obligim. Ta respektojmë traditën tonë sipas së cilës secili vit që vjen në kujtim në zemrat tona, duhet t’i bëjë akoma më fisnik, më madhështor, më të dashur dhe pafundësisht të çmuar Ilaz Kodrën me shokë dhe kujtimi për ta”, tha Abrashi.
Kryeshefi i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha, tha se pulla postare që po e promovojnë sot është e veçantë sepse bart njërën prej figurave kyçe dhe njërit prej ideatorëve të UÇK-së.
Me këtë rast, Hoxha ia ka dorëzuar pullën postare të gdhendur në bronz, familjes së komandantit Ilaz Kodra.
Akademia përkujtimore për të nderuar figurën e Ilaz Kodrës u organizua nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.