SBASHK-u i bashkohet protestës më 7 gusht në mbështetje të të akuzuarve në Hagë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën paqësore të paralajmëruar për më 7 gusht 2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kjo protestë është thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Zëri ynë i bashkohet…

Lajme

04/08/2025 10:09

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën paqësore të paralajmëruar për më 7 gusht 2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kjo protestë është thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Zëri ynë i bashkohet zërit të së vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut, duke theksuar se në këtë protestë do të jenë të pranishëm anëtarë nga të gjitha nivelet e arsimit – nga çerdhet e deri në universitetet.

Protesta, që do të nisë në ora 17:00, synon të shprehë përkrahje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që aktualisht ndodhen në paraburgim në Hagë, nën akuzat e Gjykatës Speciale. SBASHK-u e cilëson ndalimin e tyre si të padrejtë, ndërsa protestën e 7 gushtit si një mesazh të qartë se “nuk harrojmë sakrificën”.

“Falë atyre që sot padrejtësisht ndodhen në qeli, ne sot gëzojmë lirinë, ecim të lirë në shtetin tonë dhe edukojmë brezat për atdhedashuri e drejtësi”, thuhet më tej në njoftim.

Përmes kësaj proteste, SBASHK-u thotë se ngre zërin për drejtësinë, për lirinë dhe për ata që “sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë”.