SBASHK-u dërgon 370 mësimdhënës në bregdetin shqiptar
SBASHK-u edhe këtë verë ka vazhduar traditën për të dërguar punëtorë të arsimit dhe UP-së nga të gjitha komunat e Kosovës për pushime në bregdetin shqiptar.
Lajme
Kryesia dhe Këshilli Drejtues i SBASHK-ut kanë autorizuar një komision që të bëj gjithë përgatitjet, ndërsa përzgjedhjen e pushuesve e kanë bërë organet sindikale nga komunat dhe Universiteti.
370 anëtarët e SBASHK-ut kanë nisur pushimet në bregdetin shqiptar në Durrës, ndërsa qëndrimi i tyre në buzëdet është një traditë që po vazhdon dhe po sigurohet nga mjetet e grumbulluara në Fondin për rekreacion të SBASHK-ut.
Mësimdhënësit dhe të punësuarit tjerë në arsimin e Kosovës janë shprehur të lumtur për përzgjedhjen nga kolegët e tyre dhe ndihen të kënaqur me kushtet që ofron ky bregdet. Ata nuk kanë kursyer lëvdatat për Kryesinë e SBASHK-ut dhe komisionin 10 anëtarësh që ka punuar me përkushtim në mënyrë që pushimet të kalojnë sa më mirë.
Me këtë rast, kryetari i SBASHK- ut, Rrahman Jasharaj, i cili u gjend në mesin e pushuesve, ka bashkëbiseduar me ta dhe ka parë nga afër atmosferën e mirë që ka mbretëruar aty. Anëtarët e SBASHK-ut kanë shprehur respekt për angazhimet e SBASHK-ut, sidomos ata të cilët për herë të parë gjenden në bregdetin shqiptar.
Ndryshe, ky aktivitet ka nisur para 4 vitesh me 100 pushues, ndërsa gradualisht ky numër është rritur nga viti në vit, duke arritur këtë vit deri në 370.
SBASHK-u këtë aktivitet e konsideron një prej angazhimeve të shumta në shërbim të anëtarësisë dhe po ashtu premton se ky aktivitet do të vazhdojë edhe më tutje.