Sarkozy dënohet me pesë vjet burgim

Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia. Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se…

Bota

25/09/2025 15:51

Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.

Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se data për dërgimin e tij në burg do të caktohet më vonë.

Gjykata e gjeti fajtor Sarkozyn për pjesëmarrje në organizatë kriminale në komplotin nga viti 2005 deri më 2007 për financimin e fushatës së tij me fonde nga Libia në këmbim të favoreve diplomatike. Por, ai u lirua nga tri akuza të tjera, përfshirë për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe fshehje të fondeve të përvetësuara publike.

Sarkozy, 70 vjeç, e kritikoi vendimin dhe tha se ai ishte viktimë e një padrejtësie skandaloze, duke shtuar se do ta apelojë vendimin.

“Kjo padrejtësi është skandaloze. Kërkoj nga populli francez, pavarësisht nëse ka votuar për mua apo jo, të mendojë për këtë çfarë ndodhi. Urrejtja vërtet nuk ka kufij”, tha ai.

Gjykata po ashtu gjeti fajtorë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sarkozys kur ai ishte president – ish-ministrat Claude Gueant Brice Hortefeux – për të njëjtën akuzë.

Edhe ata u liruan nga tri akuzat e tjera, sikurse ish-presidenti francez.

Sipas vendimit, Gjykata beson se të pandehurit kishin bërë komplot për të kërkuar fonde nga Libia për fushatën e Sarkozys më 2007, por gjykatësit nuk u bindën se vetë ish-presidenti ishte drejtpërdrejt i përfshirë në përpjekjet për financim ose nëse ndonjë fond nga Libia u përdor për fushatën e tij presidenciale.

Kryetarja e trupit gjykues tha se Sarkozy lejoi bashkëpunëtorët e tij që të kontaktonin me autoritetet në Libi “për të marrë apo për të tentuar që të merrnin mbështetje nga Libia me qëllim financimin e fushatës”.

Por, gjykata tha se nuk arriti të përcaktonte nëse para nga Libia ishin përdorur për financimin e fushatës së Sarkozys. Megjithatë, sipas ligjeve në Francë, një skemë e tillë konsiderohet krim edhe nëse paratë nuk janë pranuar apo nuk mund të vërtetohet se janë pranuar, shpjegoi gjykata.

Sarkozy së bashku me bashkëshorten e tij, Carla Bruni-Sarkozy ishin të pranishëm në gjykatore.

Sarkozy ishte zgjedhur president më 2007, por kishte humbur garën për rizgjedhje më 2012. Ai ka mohuar të gjitha akuzat gjatë gjykimit që u mbajt për tre muaj më herët gjatë këtij viti. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe 11 persona të tjerë, përfshirë tre ish-ministra.

Akuzat u ngritën pasi më 2011, agjencia shtetërore e lajmeve në Libi dhe vetë diktatori i ndjerë, Muammar Gaddafi kishin thënë se shteti i Libisë në mënyrë sekrete kishin dërguar miliona euro për fushatën presidenciale të Sarkozys.

Më 2012, një media në Francë publikoi një memo të inteligjencës libiane që fliste për një marrëveshje për financim prej 50 milionë eurosh. Sarkozy e kishte hedhur poshtë këtë dokument.

Hetuesit po ashtu kanë hetuar një sërë udhëtimesh në Libi që kishin realizuar njerëz të afërt të Sarkozys kur ai kishte qenë ministër i Brendshëm nga viti 2005 deri më 2007.

Prokurorët kanë pretenduar se Sarkozy me vetëdije kishte përfituar nga ajo që e përshkruan si “pakt korruptiv” me Qeverinë e Gaddafit.

Diktatori i Libisë u rrëzua nga pushteti dhe u vra gjatë kryengritjes më 2011, që i dha fund sundimit të tij prej katër dekadash në këtë shtet të Afrikës së Veriut. REL