Samiti i NATO-s: Rusia kritikohet për krizën në Ukrainë

Liderët perëndimorë kanë kritikuar Rusinë për influencën e saj “destablizuese” në krizën në lindje të Ukrainës. Këto kritika u bënë gjatë hapjes së samitit të NATO-s që po mbahet në Uels të Mbretërisë së Bashkuar.

Bota

04/09/2014 17:36

Ata deklaruan se presioni ndaj Rusisë do të vazhdojë në qoftë se ajo nuk e ndërron kursin e saj. E në anën tjetër, Rusia ka mohuar pretendimet se ka dërguar trupa në Ukrainë dhe se ka ndihmuar në armatosjen e rebelëve atje.

Ndërkaq, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka deklaruar se liderët e rebelëve janë pajtuar për një armëpushim, i cili do të hyjë në fuqi nga dita e premte.

Më shumë se 2 mijë e 600 persona kanë vdekur gjatë luftimeve në mes të trupave ukrainase dhe rebelëve. E ushtria Ukrainase ka thënë se 837 ushtarë të saj kanë vdekur që prej se konflikti ka filluar në prill të këtij viti.

Samiti i NATO-s do të zhvillohet gjatë dy ditëve, ku liderët perëndimor do të flasin edhe për organizatën terroriste IS.