Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Osmani: Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës para dialogut me Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, para vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. “Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Osmani…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, para vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Osmani në Tiranë, ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin njëditor të Komunitetit Politik Evropian.
“Këtë e kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës së organizuar nga ana e BE-së, dhe do ta kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut”, është shprehur presidentja e Kosovës.
Osmani ka thënë se “Kosova është gjithnjë e gatshme dhe konstruktive që të marrë pjesë në këtë proces”, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se nevojitet ulja e tensioneve në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Siç e dini këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat”, ka thënë, në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës.
Më herët, për Kosovën dhe Serbinë foli shkurt para gazetarëve në Tiranë edhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas.
“Presim normalizim të marrëdhënieve, sigurisht”, tha Kallas, para nisjes së samitit në Tiranë.
Presidentja e Kosovës, ndërkaq, foli edhe për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE, teksa i bëri thirrje Brukselit që të bëjë veprime konkrete.
“Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para 2 vjetëve, por, për fat të keq, ende nuk është shqyrtuar aplikimi nga BE-ja, për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike që krijohen nga disa shtete anëtare”, ka thënë Osmani.
“Meqenëse ky është edhe samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian, ka ardhur koha që, përtej fjalëve të bukura që u drejtohen shteteve aspiruese për anëtarësim, të ketë veprime konkrete”, është shprehur ajo para gazetarëve.
“Është shumë me rëndësi që të kemi rezultate konkrete, në veçanti për shtete si Kosova, e cila është 100 për qind në linjë të plotë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë”, ka porositur Osmani.