Samiti i Berlinit ia shkatërron Vuçiqit idenë për korrigjim kufijsh

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e ka pranuar se ka dështuar përfundimisht ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

03/05/2019 12:19

Ai sot tha se ideja është shembur sepse njerëzit kanë menduar ndryshe, dhe se sipas tij ky dështim do t’i kushtojë shumë Serbisë për 20 vitet e arsdhshme, shkruan lajmi.net.

“Të gjithë ata që e bënë Kosovën të pavarur, ndërsa flisnin për korrigjimin, janë shtirur si të paaftë, sepse nuk donin të thoshin se ata janë për Kosovën si të tërë e pavarur nga Serbia. Për këtë është angazhuar Rada Trajkoviç, sikurse kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq.

“Idetë e mia kanë dështuar. Kjo do të kushtojë popullin tonë, vendin tonë brenda 20-30 vjetëve. Nuk mendoj se do të kem një ngushëllim personal që dikush do të thotë se isha largpamës”, tha Vuçiq.

Sipas presidentit serb, të gjithë ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që kanë ndihmuar në këtë proces  kanë ndihmuar në dështimin e kësaj ideje, gjë që sipas tij ka qenë një mashtrim i atyre shteteve.

Vlen të theksohet se Samiti i Berlinit nga shumë analistë ishte parë si vendi ku do të varroset ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

E këto deklarata të Vuçiq vijnë pikërisht pas këtij  Samiti, ku Gjermani është deklaruar haptaz si kundërshtari më i madh i kësaj ideje. /Lajmi.net/