Samiti i Ballkanit – Record: Kosova ka potencial të konsiderueshëm për investime
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm për investime, në një kohë kur në Ballkanin Perëndimor po vërehet interes i ripërtërirë i investitorëve dhe përkushtim më i madh ndaj integrimit evropian. Kështu ka deklaruar Richard James Lowden Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Ballkanit…
Lajme
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm për investime, në një kohë kur në Ballkanin Perëndimor po vërehet interes i ripërtërirë i investitorëve dhe përkushtim më i madh ndaj integrimit evropian. Kështu ka deklaruar Richard James Lowden Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Ballkanit që po mbahet me fokus investimet private dhe mundësitë për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës publike me vlerë prej 30 miliardë eurosh në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Record ka thënë se rajoni ofron mundësi të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara, ndonëse po përballet me një mjedis global më sfidues, të karakterizuar nga rritja më e ngadaltë ekonomike dhe pasiguria gjeopolitike.
Duke folur për sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale, Record ka përmendur rritjen më të ngadaltë ekonomike në Evropë, pasigurinë gjeopolitike, riorganizimin e zinxhirëve të furnizimit, zhvillimet teknologjike dhe përhapjen e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Megjithatë, sipas tij, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përparësi të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.
“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, po shohim një interes të ripërtërirë të investitorëve dhe një përkushtim më të madh ndaj integrimit evropian, qëndrueshmëri më të fortë makroekonomike dhe një njohje gjithnjë e më të madhe se ky rajon ofron mundësi të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara. Megjithatë, po veprojmë edhe në një mjedis global shumë më sfidues, i karakterizuar nga rritja më e ngadaltë ekonomike në të gjithë Evropën, si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, pasiguria e shtuar gjeopolitike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit, zhvillimet përçarëse teknologjike dhe përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale. Këto tri ekonomi, dhe sigurisht edhe Grupi i Bankës Botërore, vlerësojnë se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm”, theksoi Record.
Ndër përparësitë e këtyre vendeve, Record ka veçuar popullsinë e re, themelet makroekonomike dhe stabilitetin ekonomik, si dhe lidhjet e forta me diasporën, të cilat mundësojnë qasje në rrjete investitorësh, burime financimi, talente dhe ide të reja.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e pozitës gjeografike të tri vendeve dhe orientimin e tyre drejt integrimit evropian.
“Ato kanë disa përparësi të përbashkëta. Kanë demografi të favorshme dhe popullsi të reja, në një kohë kur ekonomitë e zhvilluara të Evropës po përballen gjithnjë e më shumë me plakjen e popullsisë. Gjithashtu, kanë themele të forta makroekonomike, të ndërtuara me shumë përpjekje, inflacion të ulët, norma të ulëta interesi dhe stabilitet ekonomik… Dhe, natyrisht, së fundi, të tria ekonomitë janë të pozicionuara pranë zemrës së Evropës, si gjeografikisht, ashtu edhe për sa i përket aspiratave dhe mentalitetit të popullsisë, me një përkushtim të përbashkët ndaj integrimit evropian”, u shpreh Record.
Në ditën e parë të samitit do të mbahen katër panele, ku të pranishëm do të jenë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës.