Salihu kërkon bashkimin e shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi: Synimi, tre deputetë nga Lugina e Preshevës

Afaristi dhe humanisti shqiptar, Muharrem Salihu, ka bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim të forcave politike e qytetare në Luginën e Preshevës, me synimin që shqiptarët të sigurojnë tre deputetë në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e 25 tetorit. Salihu ka theksuar se zgjedhjet parlamentare përbëjnë një mundësi për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve…

Lajme

13/10/2026 09:56

Afaristi dhe humanisti shqiptar, Muharrem Salihu, ka bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim të forcave politike e qytetare në Luginën e Preshevës, me synimin që shqiptarët të sigurojnë tre deputetë në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e 25 tetorit.

Salihu ka theksuar se zgjedhjet parlamentare përbëjnë një mundësi për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duke kërkuar bashkimin e votës dhe mbështetjen e një liste të përbashkët.

“Bashkësia shqiptare dhe të gjitha bashkësitë e tjera kanë mundësinë ta kthejnë këtë parim në një veprim konkret politik: bashkimin e votës për të synuar dërgimin e tre deputetëve shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Parlamentin e Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Salihu.

Sipas tij, përfaqësimi më i fuqishëm politik kërkon bashkëpunim jo vetëm ndërmjet shqiptarëve, por edhe me komunitetet e tjera që jetojnë në këto tri komuna.

Ai ka vlerësuar se mbështetja e një liste të përbashkët do të mund të kontribuonte në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.

“Për komunitetet joshqiptare, kjo është një mundësi për të shënuar një hap historik në marrëdhëniet ndëretnike, duke hapur një kapitull të ri të bashkëjetesës, besimit dhe bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe integrimit europian. Mbështetja e një liste të përbashkët nuk duhet parë si favor ndaj dikujt tjetër, por si investim në një të ardhme ku zëri dhe interesat e të gjitha komuniteteve marrin peshën që meritojnë”, ka theksuar ai.

Salihu ka nënvizuar se fati i popullatës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet të mbetet i pandashëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo interesave të politikës së ditës.

“Kohezioni lokal është burim force dhe faktorizimi përballë pushtetit qendror. Sa më të bashkuara të jenë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci rreth interesave të përbashkëta, aq më i fortë do të jetë zëri i tyre në institucionet e Republikës së Serbisë”, ka shkruar Salihu.

Ai ka shtuar se diversiteti etnik duhet të shërbejë si faktor bashkëpunimi dhe kohezioni ndëretnik, e jo si mjet diskriminimi, përçarjeje apo përjashtimi.

Sipas Salihut, zgjedhjet e 25 tetorit janë një mundësi që komunitetet e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të dëshmojnë vullnet për bashkëpunim dhe përfaqësim më të fuqishëm në institucionet qendrore të Serbisë.

“Tashmë nuk mjaftojnë fjalët për bashkëjetesë. Duhen vullnet politik, përgjegjësi dhe veprim konkret. Zgjedhjet e 25 tetorit janë një mundësi për të dëshmuar se, pavarësisht dallimeve, ne mund të bashkohemi rreth interesit të përbashkët dhe të ndërtojmë një zë më të fortë për të ardhmen e të gjitha komuniteteve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka përfunduar Salihu.