Sala Jashari nga Kuvendi: “Kosova nuk është në duart e duhura”, kritikon LVV-në për bllokadën institucionale

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit Lëvizjen Vetëvendosje për moskonstituimin e institucioneve të Kosovës. Në fjalën e saj, Jashari tha se në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë do të dëshironte të fliste me të rinjtë për të ardhmen dhe perspektivën e vendit, por sipas saj, situata aktuale politike e ka detyruar…

Lajme

12/08/2026 12:17

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit Lëvizjen Vetëvendosje për moskonstituimin e institucioneve të Kosovës.

Në fjalën e saj, Jashari tha se në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë do të dëshironte të fliste me të rinjtë për të ardhmen dhe perspektivën e vendit, por sipas saj, situata aktuale politike e ka detyruar të flasë për gjendjen institucionale.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve, sot, si një nga deputetet më të reja, do të doja që me të rinjtë e të rejat që kanë ardhur ta vizitojnë Kuvendin, të flisnim se çka është arritur në dy vitet e fundit, për ide, perspektivë dhe të ardhmen e vendit. Por fatkeqësisht, unë obligohem që ta ruaj kushtetutën e demokracinë e vendit, dhe njëkohësisht t’ju tregoj të rinjve se që fatkeqësisht Kosova nuk është në duart e duhura”, tha Jashari.

Ajo iu referua edhe përballjes së mëhershme me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se fitorja në zgjedhje shoqërohet edhe me përgjegjësi.

“Sot e patëm një përballje ku ushtruesja e detyrës tha ‘ne e kemi fuqinë’. Ju keni fituar, por bashkë me fitimin e zgjedhjeve, duhet përgjegjësi e punë. Patriotizmi më i madh sot është ta duash vendin dhe të punosh për të”, deklaroi ajo.

Jashari kritikoi gjithashtu mungesën e deputetëve të partisë së parë në seancën e Kuvendit.

“Edhe sot, si PDK, jemi këtu për ta filluar seancën, por partia e parë fituese nuk shfaqet, nuk tregon seriozitet dhe vazhdon sikur gjithçka është në normalitet”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së tha se debati me të rinjtë duhet të fokusohet edhe në mundësitë që ata kanë në Kosovë, veçanërisht pas përfundimit të studimeve.

“Nëse është nevoja, ne duhet të vazhdojmë kështu, të flasim me të gjithë të rinjtë, sepse ata duhet ta bëjnë vetëm një pyetje: se çfarë ka ndryshuar jeta e tyre brenda 6 viteve? Pse të rinjtë kur e përfundojnë fakultetin nuk gjejnë vend të punës?”, u shpreh Jashari.

Në fund, ajo u bëri thirrje të rinjve që të jenë të kujdesshëm ndaj përmbajtjeve politike në rrjetet sociale.

“Mos bini pre e propagandave të vazhdueshme në rrjete sociale”, tha Jashari. /Lajmi.net/