Safet Gërxhaliut i kërkohet dorëheqje nga kreu i OEK-ut

Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim për krijimin e zyrës së komunitetit të bizneseve në mënyrë që biznesmenët të kenë qasje të vazhdueshme me ligjvënësit.

Lajme

20/05/2015 16:56

Këtë e bëri publike kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi që pati me përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Ai tha se kjo gjë po bëhet në mënyrë që bashkërisht Kuvendi dhe komuniteti i biznesit ta nxisin rritjen  ekonomike.

Këtë vendim e mbështeti fuqishëm kryetari i Aleancën Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i cili tha se dhënia e një zyre të tillë do të krijojë hapësirë për legjislacion më të mirë. Sipas tij, kjo zyrë do të përshpejtojë punën e përbashkët.

Arif Elshani, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK duhet të jetë më unifikuese dhe më bashkëpunuese me bizneset. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të formojë edhe një komision për përcjelljen e punës së Odës Ekonomike.

Në këtë takim u shtruan edhe shumë kërkesa nga përfaqësues të ndryshëm të shoqatave dhe bizneseve. Ndërkohë, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu njoftoi se po kërkohet dorëheqja e tij.

Veseli tha se të gjitha këto çështje tani e tutje duhet t’i parashtrojnë në zyrën e sapokrijuar dhe se nëse ata janë me të vërtetë aktiv, do të ketë rezultatet të mëdha dhe kërkesat e tyre do të përmbushen. /Kosovapress/