Safet Gërxhaliu rizgjidhet Kryetar i Odes Ekonomike

Safet Gerxhaliu është rizgjedhur kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme. Ai ishte i vetmi kandidat për këtë post, pa kundër kandidat.

Lajme

20/12/2013 14:33

Me votim të hapur Safet Gërxhaliu mori edhe një mandat 4 vjeçar për ta udhëhequr OEK’un. Ai pohoi se nuk kanë arsye që të jenë të vetëkënaqur me atë që kanë bërë deri tani, pasi sfidat në sektorin e ekonomisë, janë të mëdha, duke premtuar se edhe në këtë mandat do të punojë për interesat e komunitetit të biznesit.

“Si kryetar i posa zgjedhur, nuk kemi arsye për eufori. Nuk kemi arsye për vetëkënaqësi, nga vet fakti se jemi të vetëdijshëm për situatën ekonomike në Kosovë, për trendët të cilat janë dominonte në Kosovë”.

“Dhe e tërë kjo, e shumë më tepër, duhet të na obligoj dhe të na motivoj bashkërisht që të punojmë dhe të angazhohemi, më shumë se sa të festojmë dhe të kemi relaks. Sfidat janë të shumta, por orientimi kryesor do të jetë që vërtetë të bëhet më tepër në përmirësimin e imazhit të Kosovës, në skenën ndërkombëtare”.

“Dhe në rend të dytë, të ndërtojmë ura bashkëpunimi në mes të komunitetit të biznesit vendor dhe jashtë Kosovës në dimensione të ndryshme . Ajo çka është më substanciale, duhet të promovohet prodhimi vendor, duhet të mbështete prodhuesi vendor, në qoftë se mendohet që Kosova të ketë stabilitet social, i cili do të reflektojë dhe tek stabiliteti politik”.

Gërxhaliu më tej tha se gjatë këtij mandati si kryetar i OEK’ut, do të punoj në mënyrë që interesat e komunitetit të biznesit, do të jenë të mbrojtura në mënyrë të denjë.

Ai thotë se është i vetëdijshëm për sfidat që kanë para vetës, por se do të angazhohet dhe me tepër për arritjen e qëllimeve, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Do të jemi partner me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Mirëpo ky partneritet, nuk nënkupton nënçmim ose dorëzim, por vërtetë bashkërisht me politikat, bazuar në ekspertizë shkencore, të japim kontributin tonë që proceset ekonomike të jenë ato që do ta karakterizojnë ardhmërinë”.

“Sfidat janë të shumta. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe e tërë kjo do të na motivojë më tepër që të jemi më pragmatik dhe vërtetë profesionalizmin ta kemi ardhmen më të fortë”.

Ndryshe në Kuvendin zgjedhor të OEK’ut u zgjodhën dhe strukturat e reja të OEK-ut. Kryesues i Kuvendit të OEK, është zgjedhur Xhevat Jusufi, pronar i Kompanisë “Buqaj”, nënkryetar Muhamet Ymeri dhe Arif Elshani. Sekretar i përgjithshëm i OEK, është zgjedhur Frymëzim Isufaj. Kryesues i Këshillit mbikëqyrës Milazim Zeqiraj dhe zëvendës kryesues i këshillit mbikëqyrës Refki Hoxha . Ndërsa Berat Rukiqi, i cili deri tani ishte sekretar i përgjithshëm, tani më është këshilltar strategjik i OEK’ut