Sachpizza publikon rezultatet e IKSHPK-së: Në mostrat ushqimore nuk u gjetën baktere patogjene
Kompania Sachpizza ka publikuar sot një reagim zyrtar lidhur me rastin e dyshimeve për helmim ushqimor, duke bërë të ditur se rezultatet laboratorike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nuk kanë identifikuar baktere patogjene në mostrat ushqimore të marra në lokalet e saj. Sipas kompanisë, në analizat e kryera nuk është identifikuar…
Lajme
Kompania Sachpizza ka publikuar sot një reagim zyrtar lidhur me rastin e dyshimeve për helmim ushqimor, duke bërë të ditur se rezultatet laboratorike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nuk kanë identifikuar baktere patogjene në mostrat ushqimore të marra në lokalet e saj.
Sipas kompanisë, në analizat e kryera nuk është identifikuar Salmonella, Escherichia coli apo Staphylococcus aureus, ndërsa edhe strishot e marra nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe duart e stafit nuk kanë evidentuar baktere patogjene.
Sachpizza thekson se, sipas dokumenteve zyrtare të institucioneve kompetente, disa pacientë të trajtuar në QKUK kanë rezultuar pozitivë me Salmonella Enteritidis, por shton se deri në këtë fazë të hetimit nuk është konfirmuar ndonjë lidhje mes mostrave ushqimore të analizuara në restorant dhe rezultateve laboratorike të pacientëve.
Kompania njofton se hetimi epidemiologjik vazhdon dhe se do të respektojë çdo përfundim zyrtar të institucioneve përgjegjëse.
Në reagim thuhet gjithashtu se edhe analiza e fundit mikrobiologjike e kryer më 6 korrik 2026 për sosin e bardhë, produkt për të cilin ishte ngritur dyshimi publik, e kishte vlerësuar atë brenda parametrave të lejuar.
Pavarësisht rezultateve, Sachpizza bën të ditur se e ka tërhequr menjëherë produktin nga përdorimi dhe ka ndërmarrë masa shtesë për forcimin e proceseve të prodhimit, kontrollit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë rishikimin e procedurave HACCP, shtimin e kontrolleve të higjienës dhe temperaturës, intensifikimin e analizave laboratorike dhe trajnime shtesë për stafin.
Në fund të reagimit, kompania falënderon institucionet dhe qytetarët që kanë pritur rezultatet zyrtare para nxjerrjes së përfundimeve, duke theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet deri në përfundimin e plotë të hetimeve. /Lajmi.net/