Sabiha Shala: Pejën do ta qeverisim me meritokraci dhe përgjegjësi
Kandidatja e për kryetare të Pejës nga Partia Demokratike e Kosovës, Sabiha Shala, në një intervistë për lajmi.net thotë se ka plan konkret për depolitizimin e arsimit. Ajo thotë se në arsim do të jetë kriter meritokracia e jo vija partiake. Shala konsideron se edhe shëndetësia calon në Pejë, por sipas saj, kjo gjendja do të ndryshojë dhe do t’i takojë të kaluarës. Ajo ka folur edhe për projektet në turizëm, ekonomi e ambient.

Lajme
Lajmi.net: Cili është vizioni juaj për qytetin e Pejës në 4 vjetët si kryetare i mundshëm?
Shala: Aktualisht Pejës i mungon fotografia e një qyteti urban të zhvilluar dhe turistik dhe ajo çka do të bëjë unë bashkë me ekipin tim do ta kthejmë Pejën në një qytet të urbanizuar, me ekonomi të zhvilluar dhe duke i dhënë vëmendje të veçantë turizmit. Kjo është ajo fotografia që Pejës i ka munguar me vite.
Lajmi.net: Në pika të shkurtra a mund të na përshkruani ofertën për qytetarët?
Shala: Konsideroj se unë kam ofertën më të mire për ta zhvilluar Pejën për ta bërë qytet me interes për të investuar edhe investitorët e jashtëm duke përfshirë edhe diasporën por edhe investitorët e huaj. Fokusi im do të jetë i përqendruar në projektet e mëdha, projekte këto milionëshe. Projektet për mjedis (ujësjellës dhe kanalizim); qendra inovative që gjenerojnë punësim; projektet madhore në turizëm; etj.
Lajmi.net: Në cilat pika do të ketë prioritet programi juaj nëse udhëhiqni me komunën në katër vitet e ardhshme?
Shala: Ajo çka dua t’i sigurojë qytetarët e komunës së Pejës se me qeverisjen time Peja do të qeveriset pa korrupsion, me transparence te plotë dhe ne bashkëpunim me qytetarët, sepse konceptim im i qeverisjes është ndryshimi i mendësisë së qeverisjes nga ajo veç për pushtetarët në qeverisje bashkë me qytetarët. Ndërsa për katër vitet e ardhshme qytetarët do të kenë mundësi të shohin dhe t’i përjetojnë projektet tona në baze të cilave do ta ulim papunësinë dhe do ta zhvillojmë Pejën .
Lajmi.net: Pse duhet t’i besojnë qytetarët programit tuaj?
Shala: Unë për qytetaret ofroj një program real dhe te realizueshëm, prandaj premtimet e mia janë shume konkrete nëse unë po them që Peja mund të qeveriset shumë më mirë. Peja mundet të bëhet qytet i zhvilluar dhe do te krijohen mundësi punësimi për qytetarët e saj. Jam plotësisht e vetëdijshëm çka po them, në tërësi janë premtime të realizueshme vetëm se kërkohet një menaxhim i mirë të cilin unë qytetareve të Pejës jam e gatshme të ua ofrojë menjëherë pas 22 tetorit.
Lajmi.net: A do ta nisni fushatën me premtimet e vjetra, asfalt e kanalizim?
Shala: Ne sot jemi 18 vjet nga koha kur ka mbaruar lufta dhe pas kaq vitesh të flitet për asfalt dhe Kanalizim, konsideroj se është e tepërt. Por, duhet të kemi parasysh se ata që kanë udhëhequr me Pejën nuk kanë arrit për gjithë këto vite të bëjnë ndryshime serioze. Tash ne na mbetet që gabimet e tyre t’i përmirësojmë. Nuk mendoj se duhet shumë të fokusohemi në asfalt e kanalizim, sepse këto do të duhej të ishin punë të pëfunduara dhe të mos flitej në shekullin 21 për këto gjëra elementare. As që nuk diskutohet, të gjithë ata që jetojnë në Pejë, do të kenë asfaltin dhe kanalizimin dhe rrjetin e ujësjellësit.
Lajmi.net: Kë e shihni si kundërkandidatin më të fuqishëm në garën për Pejën?
Shala: Gara ime është e fokusuara për t’i bindur qytetaret që unë bashkë me PDK-në kemi platformën më të mirë. Nuk e kemi plan të merremi me ata që kanë dështuar në shumë mandate ta bëjnë qytetin funksional. Prioritetet tona janë reale, nuk kemi premtime boshe, sa për të thënë që dolëm në fushat.
Lajmi.net: Arsimi është problem pothuajse kryesor në Kosovë, e sidomos politizimi. Cili është plani juaj konkret për depolitizim?
Shala: Ka pasur mungesë të transparencës në gjithë këto vite. Ideja është që qytetarëve t’ua ofrojmë punësimin në bazë të meritokracisë, dhe jo në vija partiake. Është e pafalshme kur një vajzë apo djalë diplomon dhe kryen magjistraturën dhe nuk i jepet mundësia që ta ndaj dijen e tij me nxënës, por përzgjidhet në vija partiake. Besoni se kjo do të merr fund. Politizimi do t’i takojë të kaluarës. Dhe jo vetëm në arsim, por edhe në fushat tjera, kualifikimi dhe dija do të jenë çelës për të qenë pjesë e një institucioni që do ta drejtojë unë.
Lajmi.net: Po ashtu shëndetësia është problem në të gjitha komuna. Çfarë plani keni në këtë aspekt?
Shala: Është e vërtet që shëndetësia çalon edhe në nivel nacional. Krejt çka do të bëjmë është që atë buxhet çka e kemi, ta shfrytëzojmë në mënyrë racionale dhe të jemi të përgjegjshëm për atë që e bëjmë. Nëse është nevoja do ta rrisim buxhetin. Një që ka rëndësi shumë është që të gjitha ato qendra që ekzistojnë të jenë funksionale në ofrimin e shërbimeve. Si ka mundësi që një qytetar kërkon shërbime në një ambulant në një fshat, e mjeku nuk është në punë, ose edhe më keq se kaq, është në ordinancë private në orarin e punës. Kjo do të merr fund, çdo kush që ka marr përgjegjësi duhet ta kryej punën me nder. Do të jemi të pa-kompromis për ata që kanë përgjegjësi e nuk i kryejnë punët./Lajmi.net/