Sa zyrtarë publik i ikën deklarimit të pasurisë?
Më 1 prill ka përfunduar afati i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Lajme
Të gjithë zyrtarët e lartë publikë të vendit kanë qenë të obliguar që deri më 1 prill të këtij viti ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit, shkruan lajmi.net.
Edhe pse ka përfunduar afati ligjor i deklarimit të pasurisë, ende nuk dihet se sa zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Shaip Havolli, ka thënë për lajmi.net, arsyeja përse nuk dihet se sa zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë apo sa prej tyre e kanë deklaruar pas afatit ligjor është për shkak siç tha Havolli, të procedimit të të dhënave.
Havolli po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se shpreson që të premten do të dalin me një raport përfundimtar në lidhje me deklarimin e pasurisë.
“Jemi në proces të përpunimit të të dhënave. Ende nuk kemi dalë me regjistër të saktë. Sepse jemi duke i pritur edhe informatat që vijnë nga posta, e disa na kanë ardhur në mënyrë elektronike. Kështu që deri të premten besoj se do të dalim me raport lidhur me deklarimin e pasurisë. Sepse është një procedurë goxha e madhe, deri sa ta dimë se kush e ka deklaruar e kush nuk e ka deklaruar dhe kush ka deklaruar pas afatit”, ka deklaruar Havolli për lajmi.net.
Ndryshe, në faqen zyrtare të AKK-së, shkruan se 4 mijë e 737 zyrtarë të lartë publikë kanë qenë të obliguar që të deklarojnë pasurinë.
Sipas këtyre të dhënave, numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor janë 4 mijë e 651, e që në përqindje i bie 98.18 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë e tyre.
Në bazë të këtyre të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të AKK-së, i bie që 86 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre mirëpo, këto të dhëna nuk janë përfundimtare pasi që për më shumë se një javë figurojnë të njëjtat të dhëna. /Lajmi.net/