Sa e rrezikon gara e armatimit mes Serbisë dhe Kroacisë sigurinë e rajonit dhe Kosovën?
Një garë e fuqishme që po zhvillohet kohët e fundit në mes të Serbisë dhe Kroacisë, për të dominuar ushtarakisht në rajon, po jep shenja jo të mira për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Lajme
Ka kohë që Serbia në njërën anë po vazhdon të shtojë arsenalin e armëve, kryesisht që po i importon nga Rusia dhe, si kundërpërgjigje edhe Kroacia po e bënë të njëjtën gjë, por nga kampi perëndimor.
Hasmëritë mes këtyre dy vendeve, janë shtuar edhe me paradën e fundit të zhvilluar në Kroaci me rastin e përvjetorit të ofensivës së ushtrisë Kroate në rajonin e Kninit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të njohur si Stuhia, apo në origjinal “Oluja”.
Ky konflikt i ngrirë mes dy vendeve, ka përfituar edhe në prishjen e përkohshme të marrëdhënieve, gjatë valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme që po kalonin nga Serbia në Kroaci. Pasi që Serbia po i lejonte ata pa ndonjë kontroll të kalojnë në Kroaci, këta të fundit si shenjë revolte bllokuan pikat kufitare, veprim ky që rezultojë me në ndërprerje të përkohshme të raporteve mes dy vendeve.
Kjo hasmëri e heshtur mes dy ish republikave më të fuqishme të ish-Jugosllavisë, e që është folur se përfaqëson konfliktin mes perëndimorëve e lindorëve, më së shumti mund të ndikojë në shtetet e brishta që kanë ende çështje të hapura.
Një nisje e një konflikti mes dy vendeve, do të afektonte më së shumti në Kosovë dhe në Bosnje apo edhe në Maqedoni.
Këtë vlerësim e jep ish ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe njëherësh njëri nga udhëheqësit në luftën e Kroacisë dhe Kosovës kundër Serbisë, Agim Çeku.
Ai vlerëson se, Serbia në këtë mënyrë, vazhdimisht paraqet një kërcënim potencial për rajonin, por është kërcënim potencial edhe për Kosovën dhe një armatosje, e tillë sipas Çekut, duke pasur parasysh bashkëpunimin që Serbia ka me Rusinë, gjithsesi që ka ndikim edhe në sigurinë e Kosovës.
“Përderisa Serbia ka shpresa dhe ka plane e intenca që ta kthejë Kosovën apo përderisa e konsideron Kosovën si pjesë të vetën ne jemi të rrezikuar nga Serbia”, tha Çeku për lajmi.net.
Fakt tjetër, sipas tij, është se asnjë vend në rajon nuk ka konteste territoriale apo konteste tjera me njëri tjetrin, dhe gjitha vendet në rajon kanë konteste me Serbinë. Çeku thekson se të gjitha vendet e rajonit ose janë anëtare të NATO-s, ose në rrugë për tu bërë anëtarë të NATO-s, pra siç thotë ai, këto shtete janë përcaktuar që sigurinë e vet ta ndërtojnë në bazat e sigurisë kolektive brenda NATO-s, përpos Serbisë, ku kjo e fundit ka marr vendim në Parlamentin e tyre që të mos jetë anëtare e NATO-s.
Ky refuzim i Serbisë që të mos jetë pjesë e mbrojtjes kolektive në rajon, Çeku e rithekson se kjo ka ndikim edhe në sigurinë e Kosovës.
Veprimet e Kroacisë për armatosje, sipas Çekut po bëhet në kuadër të NATO-s, dhe Serbia e paraqet se po vepron në mënyrë retroaktive.
“Kjo nuk është e vërtet sepse Kroacia po vepron në mënyrë retroaktive, pasi duke parë një bashkëpunim intensiv me Rusinë, duke parë një ndikim të jashtëzakonshëm në mes të Rusisë dhe Serbisë, dhe kjo është thjeshtë së Kroacia po merr masa për sigurinë e vet kombëtare dhe Serbia me armët e veta është duke u paraqitur kinse po vepron në mënyrë retroaktive, por kjo është një e pa vërtetë e madhe”, përfundoi ai.
Por ndryshe mendojnë njohësit e çështjes së sigurisë në Kosovë, të cilët këto veprime të Serbisë dhe Kroacisë nuk i vlerësojnë si të rrezikshme për rajonin dhe Kosovën.
Naim Maloku njohës i kësaj fushe tha për lajmi.net se Serbia tenton me çdo kusht ta ruajë primatin e forcës më të madhe ushtarake dhe rajonale.
“Mendoj që sa i përket stabilitetit rajonal nuk mundet me pas ndonjë ndikim negativ armatosja e Serbisë. Edhe ashtu Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia, Hungaria e cila është në kufi me Serbinë, Rumania edhe Bullgaria janë në NATO, pra Serbia është në të gjitha anët e rrethuar prej NATO-s dhe nuk mund të ndodhë as në Kosovë, pasi në Kosovë është e dislokume NATO-ja, dhe kështu nuk mundet me pas ndikime negative blerja e armatimit nga ana e Serbisë”, tha Maloku.
Madje veprimin e Serbisë për blerje të armëve e quan si humbje, pasi Serbia, siç pohon Maloku, mundet të humbas ekonomikisht sepse armët po i blen në formë të kredisë duke e futur vendin në borxh.
E gjitha çka mund të arrijë Serbia me këto veprime, sipas Malokut është vetëm efekti psikologjik.
“Kosova e ka të dislokuar NATO-n këtu dhe KFOR-i nuk do të hiqet nga Kosova pa pasur një siguri në aspektin e tërësisë territoriale. Serbia më shumë e ka efektin e brendshëm politik që të tregohet para popullit që ata po e ruajnë primatin e forcës ushtarake”, përfundoi ai.
Të njëjtin mendim e ndan edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi. Ai tha për lajmi.net se kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën, shteti i ka strategjitë e veta të furnizimit me armatim të nevojshëm, sipas objektivave që ai parashikon, por pranon se ky është një sinjal për institucionet e Kosovës.
“Në rastin, për garën e armatimeve, ky është një sinjal për institucionet e Kosovës që të përshpejtojnë obligimet kushtetuese që kanë dhe të përmbyllet funksionalizimi i sektorit të sigurisë përkatësisht të bëhen ndryshimet kushtetuese të institucionalizohet ushtria e Kosovës dhe të përcaktohet si prioritet i Qeverisë së Kosovës që në mandatin në vijim të fillojnë investime në aspektin e sigurisë”, tha Gashi ndër tjerash.
Ndërkohë që, në kohën kur dy vendet po vazhdojnë hasmërinë, dy kryeministrat po vazhdojnë me deklarata që aryetojnë shtimin e armatimit. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, kishte pranuar se Serbia do të porosisë armë të fuqishme mbrojtëse, kurse ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ante Kotromanoviq ka dhënë një mesazh ndaj Serbisë, duke thënë se askush nuk guxon t’i sulmojë ata./lajmi.net.