Sa para do t’i shpenzoj Kosova për zgjedhjet e 28 dhjetorit?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, pasi për shtatë muaj rresht nuk arriti të zgjedhë Qeverinë e re, pavarësisht dy tentimeve. Ajo caktoi datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky vendim paraqet një sfidë të madhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, pasi për shtatë muaj rresht nuk arriti të zgjedhë Qeverinë e re, pavarësisht dy tentimeve. Ajo caktoi datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ky vendim paraqet një sfidë të madhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili detyrohet t’i organizojë zgjedhjet për të katërtën herë brenda këtij viti. Kjo situatë vjen pasi zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa ato lokale u zhvilluan në tetor, me 18 komuna që shkuan në balotazh.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Bashkim Mustafa, thotë se mbajtja e zgjedhjeve të dyta parlamentare brenda të njëjtit vit mund të shkaktojë pasoja të pariparueshme në shumë dimensione.
“Pasojat do të jenë të pariparueshme në shumë dimensione. Deri në certifikimin e rezultateve mund të kalojnë një deri në dy muaj, dhe buxheti aktual mund të shpenzohet deri më 1/12 deri në muajin e tretë të vitit vijues, përfshirë marsin. Gjatë kësaj periudhe nuk mund të kryhen shpenzime të tjera përveç atyre domosdoshme për paga, mallra dhe shërbime, gjë që rrezikon realizimin e investimeve kapitale”, thotë Mustafa për AP.
Ai shton se, edhe pse po gjenden zgjidhje për disa kërkesa urgjente, mbetet e paqartë nëse këto vendime janë në përputhje me interesin e vendit.
“Çështja e caktimit të datës së zgjedhjeve sigurisht që ka implikime buxhetore, si gjithmonë. Zgjidhjet për pensionet, shpërndarjen e mjeteve për studentë dhe çështje të tjera po zbatohen, por mbetet pikëpyetje nëse forma dhe ligjshmëria e këtyre vendimeve janë të rregullta. Ky nuk është imazh i mirë për shtetin”.
Nga ana tjetër, profesori i Fakultetit Ekonomik, Nagip Skenderi, vlerëson se kostoja totale e organizimit të zgjedhjeve mund të arrijë në 25 deri në 26 milionë euro.
“Kjo pashmangshëm paraqet një tkurrje të madhe të buxhetit shtetëror dhe do të pengojë realizimin e planifikimeve. Në këtë kohë krize ekonomike e sociale, ku s’ka mundësi të intervenohet për kategori të ndryshme sociale, ku punonjësit e RTK-së nuk po marrin pagat e tyre meritore dhe ku shumë sektorë po përballen me përkeqësim, të tregosh kokëfortësi politike vetëm pse nuk u përshtatet interesave të tyre për zgjedhjen e institucioneve, është e papranueshme”.
Ai shton se partia që ka qeverisur në katër vitet e fundit, sipas tij, do të tentojë të sigurojë mbështetje përmes masave të ndryshme momentale.
“Me siguri këta ‘qeveritarë’ do të gjejnë forma të përkrahjeve sociale për t’i blerë votuesit në zgjedhjet e fundvitit, sepse po afrohet koha e ‘Babadimrit’, e me të edhe ‘dhurata’ për diasporën që kthehet për pushime”.
Sipas Skenderit, “buxheti do të shpenzohet ashtu siç dëshirojnë ‘qeveritarët në detyrë”.
Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për Albanian Post se organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe kaq të shkurtër është sfidë për stafin e KQZ-së.
“Veçanërisht për faktin se aktualisht jemi në fazën përfundimtare të administrimit të zgjedhjeve lokale. Data e re nënkupton mbajtjen e ditës së katërt zgjedhore brenda të njëjtit vit. Megjithatë, KQZ-ja do të veprojë gjithmonë në përputhje me mandatet kushtetuese dhe ligjore, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, thotë Elezi.
Ai pohoi se KQZ-ja nuk ka pasur mjete të planifikuara për një proces të ri zgjedhor.
Ndër të tjera, radhit të gjitha shpenzimet e KQZ-së gjatë këtij viti për proceset zgjedhore.
“Buxheti i planifikuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 8.7 milionë euro, ndërsa shpenzimet e deritanishme janë rreth 7.9 milionë euro. Ndërkaq, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit buxheti i planifikuar ishte mbi 10.5 milionë euro, duke përfshirë edhe raundin e dytë. Pas përfundimit të procesit, do të kemi një raport përfundimtar me të dhëna të sakta për shpenzimet”.
Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, është aktivizuar edhe neni 24 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, që mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muaj të vitit pasues për pagat e sektorit publik.
Kosova po hyn në vitin 2026 pa miratim të buxhetit shtetëror, pavarësisht se Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, e ka miratuar një projektligj për buxhetin. Po ashtu, nuk janë miratuar edhe dy marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë eurosh.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë javës së kaluar kishte deklaruar se nga bllokada politike, Kosova rrezikon të humbasë gjithsej rreth 1 miliardë euro.
Ish-opozita e kishte kritikuar këtë vendim, duke thënë se Kurti si kryeministër në detyrë nuk mund të dërgojë në Kuvend që ka përbërjen e një legjislature të re, përkatësisht të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit projektligjin e përgatitur.