“Sa më shumë që Grenell kritikon Kurtin, aq më shumë shtohen votat ndaj tij”- analistët thonë se Grenell i bëri shërbim të pallogaritshëm Kurtit
Kritikat e emisarit amerikan, Richard Grenell vazhdojnë të jenë të ashpra në drejtim të krerëve qeveritar të Kosovës. Sikurse në administratën e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, por edhe tani kritikat ndaj zyrtarëve të Kosovës janë të zëshme nga vetë Grenell. Por tani gjithçka nisi me deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/00.jpg)
Lajme
Kritikat e emisarit amerikan, Richard Grenell vazhdojnë të jenë të ashpra në drejtim të krerëve qeveritar të Kosovës.
Sikurse në administratën e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, por edhe tani kritikat ndaj zyrtarëve të Kosovës janë të zëshme nga vetë Grenell.
Por tani gjithçka nisi me deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ku ky i fundit kritikoi administratat e shkuara amerikane si ajo e Biden dhe Obama duke thënë se e lanë Kosovën në një pozitë të pafavorshme ndaj Serbisë, transmeton lajmi.net.
E pas kësaj, i menjëhershëm ishte reagimi i Grenell duke iu drejtuar kryeparlamentarit të Kosovës se kritikat duhet të bëhen në kohë dhe se ishte pikërisht ai dhe bashkëpartiakët e tij që e vlerësonin presidentin Biden sa ishte në detyrë.
“Këta shpenzuan katër vite duke komplimentuar Joe Biden-in dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë?”, ka shkruar Grenell në një reagim në “X”.
Grenell nuk i ndali me kaq kritikat e tij, ai pati kritika edhe ndaj kryeministrit, Albin Kurti duke shkruar se Kurti zgjodhi politikë me veprime të njëanshme.
“Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Biden dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit evropianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden”, kishte shkruar Grenell.
Richard Grenell, që së fundi mori zyrtarisht detyrën e Emisarit për Misione të Posaçme nga presidenti Trump reagoi pak para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi deh në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por, ne kemi nevojë për partner të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe për BE-në dhe NATO-n. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe në Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në, më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, thotë Richard Grenell.
Lidhur me raportet e Kurtit me Grenell dhe Amerikën në përgjithësi, lajmi.net ka kontaktuar njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Profesori universitar, Fadil Maloku thotë se deklaratat e Grenell vetëm se i shërbejnë Albin Kurtit para fillimit të zgjedhjeve, pasi sipas tij në mentalitetin votues të popullit mbrohet ‘viktima’.
“Mendoj që Grenell me prononcimin e tij të fundit, sado që fillimisht ndoshta është menduar edhe nga vetë ai po edhe nga i gjithë publiku i gjerë të cilit edhe i adresohet prononcimi në fjalë se do i bëjë dëm Albin Kurtit në fushatën aktuale zgjedhore në një mënyrë ironikisht tani kur na ndajnë edhe ca ditë nga votimi plebishitar, i ka bërë një “shërbim” të pa llogaritshëm të njëjtit! Arsyeja kryesore, për mendimin tim qëndron jo në qëllimin e tij fillestar por, në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e euforisë dhe frustrimit që është krijuar në kulturën dhe traditën tonë elektorale. Ku sulmet dhe denigrimet eventuale ndaj “viktimës” pak para zgjedhjeve nga kushdo që vijnë, zakonisht shpërblehen me rritjen e rejtingut të viktimës! Në këtë kontekst, nuk është i jo rastësishëm edhe mos reagimi i Albin Kurtit, ndaj prononcimit te Grenellit”, thotë fillimisht ai.
Maloku shton se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ketë parasysh zhvillimet dhe strukturën gjeopolitike ndërkombëtare.
“Mos të harrojmë, që Grenell edhe në zgjedhjet para katër vitesh, ka atakuar me gjuhë të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivokë Albin Kurtin, ku për pasojë kryeministrit iu ngritë pa papritur kuota e animimit. Nëse e këndë vështrojmë nga këndi sociologjik ketë prononcim të adresuar nga Grenell, kuptojmë se edhe në të kaluarën ky lloj “makiavelizmi” digjital, ka “prodhuar” impakte jo vetëm sporadike po edhe të sish të drejtpërdrejta në kulturën po edhe në traditën tonë votuese. Andaj, gjykoj që kushdo që i fiton këto zgjedhje, duhet të ketë parasysh gjithnjë ri konfigurimet e reja gjeopolitike e gjeostrategjike”, tha Fadil Maloku për lajmi.net.
Edhe profesori universitar, Enver Bytyçi deklaron se prononcimet e Grenell kanë për synim dobësimin dhe influencimin e rezultateve zgjedhore kundër Kurtit.
“Ambasadori Richard Grenell për të disatën herë ka sulmuar dhe kritikuar kryeministrin Albin Kurti. Ditët e fundit ai i ka përsëritur kritikat ndaj tij, duke dhënë mesazhe se “marrëdhëniet e kryeministrit të Kosovës me SHBA-të nuk do të jenë të mira”! Duket qartë se Grenell ka për qëllim ta dobësojë Kurtin dhe partinë e tij të Vetëvendosjes në elektoratin e Kosovës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës së ardhshme, më 9 shkurt 2025”, thotë ai.
Bytyçi shton se mbajtja anë e Kurtit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kundër Donald Trump nuk janë determinuese të marrëdhënieve ndërkombëtare mes shteteve pasi sipas tij interesat janë ato që mbajnë raportet e mira mes dy vendeve.
“A do të funksionojë kjo? Pra sa e dobësojnë Kurtin nga pikëpamja elektorale kritikat dhe paralajmërimet e zotit Grenell, sipas të cilit marrëdhëniet e qeverisë Kurti me administratën Trump nuk do të jenë të mira, ashtu siç nuk ishin të tilla me administratën Biden. Në fakt Albin Kurti pati mbajtur anë në zgjedhjet amerikane të vitit 2020. Pati bërë thirrje që të votohej Biden, çka do të thotë kundër Trump. Tani ndodhi që Donald Trump të bëhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithkush do të thoshte se “derisa Kurti mbajti anë përkrah Biden më 2020, atëherë do ta ketë të vështirë marrëdhënien e tij me administratën Trump të vitit 2025”, shtoi Bytyçi.
Bytyçi përmend faktin se edhe Edi Rama kishte ‘thumbuar’ Donald Trump në të kaluarën, por interesat e përbashkëta me Grenell bën që ai të bëhet mik me Vuçiq dhe emisarin amerikan. Sipas tij Kurti nuk i plotëson këto interesa.
“Por kemi një fakt alternativ për këtë që dëshmon të kundërtën. Edi Rama i pati thënë Donald Trump se “është turpi i civilizimit botëror”! Megjithatë Trump nuk u hakmor në mandatin e tij të parë presidencial ndaj tij. Përkundrazi, Grenell u bë mik i Vuçiq dhe Edi Ramës më pas. Sepse nuk janë thirrjet ato që diktojnë qëndrimet politike. Janë interesat. Fatkeqësisht Grenell është deklaruar se “Zot i tij është paraja”! Pra interesat financiare e diktojnë dhe e drejtojnë veprimtarinë e tij. Që do të thotë se me Vuçiq dhe Edi Ramën i plotëson këto interesa. Ndërsa me zotin Kurti nuk ka shans të ndodhë një gjë e tillë”, vazhdoi tutje Bytyçi.
Ai thotë se Grenell është i njëanshëm në dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo është çështja me të cilën Kurti dhe Grenell kanë mospajtimet e tyre.
“Ndërkohë zoti Grenell është marrë shumë kohë me rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos me dialogun Kosovë-Serbi. Dhe dihet se në këtë angazhim ai ka marrë anë. Kuptohet anën e Serbisë, e cila e ka dekoruar me dekoratën më të lartë. Kur merr anë bën padrejtësi. Kur bën padrejtësi, atëherë favorizon një palë dhe diskriminon palën tjetër. Kosovarët e njohin më mirë se çdo popull tjetër në Europë se çdo të thotë diskriminim e padrejtësi. E kanë vuajtur më shumë se një shekull nën lëkurën e tyre këtë fatkeqësi. Albin Kurti po ashtu. Unë mendoj se pikërisht këtu qëndron thelbi i mospajtimeve Kurti-Grenell. Padrejtësia që u bë me angazhimin e Grenell me prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e Kurtit në fillim të vitit 2020, me qëllim që t’i hapej rrugë ndarjes së Kosovës”, deklaroi Bytyçi.
Edhe Bytyçi njëjtë si Maloku thotë se deklaratat kundër Kurtit vetëm sa i shërbejnë kryeministrit të tanishëm në votë elektorale në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Tani jemi sërish në pikën zero. Por nuk besoj se deklaratat e Grennell ndikojnë në zgjedhjet e së dielës. Përkundrazi! Sa më shumë që ambasadori Richard Grenell do të kritikojë dhe adresojë Albin Kurtin, aq më shumë shtohen votat e tij. Elektorati i Kosovës ndryshon shumë nga elektorati në Shqipëri. Ka një sensibilitet të veçantë ndaj padrejtësisë. Aq më tepër që Grenell njihet mirë në Kosovë dhe askush nuk beson se ai ka qenë ose do të jetë i drejtë në qëndrimet e tij ndaj Kosovës. Kurtit do t’i mungojnë votat e Vjosa Osmanit në këto zgjedhje, por nuk është se i merr vota Grenell apo Vlora Çitaku”, thotë profesori universitar.
Bytyçi paralajmëroi se bisedimet e paqes në konfliktin Rusi-Ukrainë, mes Trump dhe Putin mund të afektojnë edhe Kosovën.
Sipas tij Kremlini është i gatshëm ta këmbejë Kosovën me Krimenë, rast të cilin e krahason shpesh.
“Nga ana tjetër unë mendoj se pavarësisht asaj çfarë ka ndodhur dhe çfarë deklaratash po bën zoti Grenell kundër Kurtit, duhen bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar dhe ngritur në nivel të lartë marrëdhëniet e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës me administratën e Donald Trump dhe me vetë zotin Grenell. Ka shumë mundësi që konflikti i Kosovës me Serbinë të zgjidhet në paketën e paqes në Ukrainë. Vladimir Putin dhe Sergei Lavrov që prej vitit 2014 kanë thënë vazhdimisht se Krimeja është i njëjti rast si Kosova. Në fakt nuk është ashtu si thonë ata. Por në këtë deklaratë ne kuptojmë se Kremlini është i gatshëm ta këmbejë Kosovën me Krimenë. Ka shumë mundësi që në bisedimet e paqes për Ukrainën midis Trump dhe Putin të alternohet ky opsion. Prandaj dhe lidhjet me presidentin amerikan të lidershipit të Kosovës janë të domosdoshme. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duhet të bëjnë ç’është e mundur të vendosin këto lidhje. Qëndrimet e Grenell nuk duhet të ndikojnë aspak. Për Kosovën dhe ardhmërinë e shtetësisë së saj duhet bashkëpunuar pa asnjë lloj paragjykimi dhe me vendosmëri. Lobimi është një prej mundësive që jepet në këtë angazhim”, përfundoi Bytyçi për lajmi.net.
Kujtojmë se Grenell mori dje zyrtarisht pozitën e tij si i dërguar special i SHBA-ve për Misione të Posaçme, post ky në të cilin në përgjegjësitë e tij pritet të përfshihet edhe dialogu, Kosovë-Serbi./
Mbetet që më 9 shkurt të kuptohet nëse deklarimet e tij ndikuan në ulje apo ngritje të votave drejtuar Kurtit dhe Vetëvendosjes. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën kur do të kuptohet se kush në fakt do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme Kosovën, e kush do të duhet të afrojë edhe më shumë raportet me SHBA-të./Lajmi.net/