Sa do të rritet çmimi i bukës, si po e presin këtë vendim qytetarët

Drita e gjelbër që iu dha ngritjes së çmimit të energjisë elektrike bëri bujë të madhe. Kjo për shkak se ky vendim u tha se do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve të tjera. Një ngritje të lehtë të çmimit do të ketë edhe produkti esencial për ushqim sic është mielli. Por, se sa…

Lajme

21/04/2025 22:11

Drita e gjelbër që iu dha ngritjes së çmimit të energjisë elektrike bëri bujë të madhe.

Kjo për shkak se ky vendim u tha se do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve të tjera.

Një ngritje të lehtë të çmimit do të ketë edhe produkti esencial për ushqim sic është mielli.

Por, se sa do të rritet çmimi i tij e tregoi kryetari i shoqatës së mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.

“Sa i përket miellit nuk ndikon drejtpërdrejt në një ngritje të madhe, pasi që energjia elektrike në koston e prodhimit nuk është pjesë e madhe e përbërjes së çmimit. Nuk duhet të shfrytëzohet kjo situatë si pretekst për t’i ngritur çmimet pa ndonjë arsyeje, nuk e shoh një arsyeje për ngritje të çmimit kaq të mëdha, sigurisht se do të ketë një ngritje të çmimit të lehtë. Nëse flasim për miellin drejtpërdrejt, nëse çmimi sot është 320 apo 350, çmimi që mund të ngritët maksimumi, mundet me qenë rreth 5 euro për ton”, tha Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës

E me këtë rritje nuk po pajtohen qytetarët.

“Kjo është jo vetëm një katastrofë, por mbi katastrofë për qytetarët, mbi katastrofë jetësore. Kur qytetarët nuk po munden me përballu edhe këtë çmim që është aktual nuk po mundohen për të mirën e qytetarëve më e ulë e me i ngritë të ardhurat, por me ngritë bukën pa të cilën nuk jetohet. E rëndon që qytetari me u lutë me i thanë Zotit, o Zot pse më fale. Për çka punuam, jetuam  edhe u munduam  për këtë shtet të pavarur. Në sundimin e të huajve, jemi kanë jo të lirë e  nuk e kemi pas në pyetje bukën”, ka thënë Isuf Musliu – qytetar.

“Pensionet e vogla, 10% me qenë shtrenjtim i bukës ose i rrymës ndikon jashtë zakonisht shumë në standardin e qytetare. Andaj, shtrenjtimit janë të pa pranueshme, mirëpo nëse nuk ka zgjedhje tjetër atëherë duhet me e përballu, por varfëria thellohet”, shprehet një tjetër qytetar.

Një qytetar tjetër,  arsyeton disi rritjen e çmimit të miellit.

“Ata munden më i shtrenjtuar se nuk po ka ujë e rendimente, por ato nuk duhet me i shtrenjtuar se edhe shteti po ju ndihmon, ata normalisht duhet me dhënë edhe pa pare miellin për popull e jo me shtrenjtuar”, thotë Kadri Rama – qytetar.

Zyra e Rregullatorit për Energji me datën 11 prill mori vendimin që çmimi i rrymës të rritet prej 16.1%.

E për të kundërshtuar këtë rritje në kryeqytet u organizuan protesta të shumta. /Teve1