Rutte: NATO e angazhuar për stabilitet në Kosovë dhe rajon
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka riafirmuar angazhimin e aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rolin e KFOR-it në Kosovë dhe vëzhgimin e zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë. Deklaratat e tij u bënë gjatë konferencës pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel. Duke komentuar zhvillimet në Kosovë, Rutte…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2024/11/900-0-1719088101xmark-rutte-455-1.jpg)
Lajme
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka riafirmuar angazhimin e aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rolin e KFOR-it në Kosovë dhe vëzhgimin e zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë.
Deklaratat e tij u bënë gjatë konferencës pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel.
Duke komentuar zhvillimet në Kosovë, Rutte përmendi procesin zgjedhor dhe përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të finalizuar rezultatet, duke mos përjashtuar mundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës.
“Ne jemi shumë të përfshirë në Kosovë përmes KFOR-it, gjithashtu po përcjellim nga afër dhe po përpiqemi të ndihmojmë në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me liderët në rajon, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në një kontekst të vazhdueshëm për tu siguruar që çkado që mund të bëjmë për te kontribuuar në stabilizimin e rajonit, ta bëjmë. Sapo kishim zgjedhjet në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar në rezultatet përfundimtare dhe kjo nënkupton se mund të këtë një koalicion në Kosovë”, ka thënë Rutte.
Rutte edhe gjatë së enjtes ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një konference për media, duke vënë në pah se aleanca veri-atlantike po e ndjek me vëmendje procesin zgjedhor.
Pas pyetjes nga gazetari i Televizionit Dukagjini, Mehmet Krasniqi – e cila u fokusua në ndikimin që mund të kenë zgjedhjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe NATO-s – Rutte u shpreh se, ndonëse rezultatet e zgjedhjeve janë ende preliminare dhe nuk ka pasur ende rezultate përfundimtare, nga këto rezultatet duket se do të formohet një koalicion qeverisës.
Megjithatë, ai shtoi se NATO do të punojë me çdo qeveri që formohet, duke potencuar rëndësinë e krijimit të një qeverie stabile në vend.
“Natyrisht se e ndjekim se çka po ndodh në Kosovë. Është një proces demokratik. Janë ende rezultate preliminare, deri më sot nuk ka rezultate përfundimtare të zgjedhjeve. Bazuar në rezultatet preliminare duket se do të ketë një koalicion qeverisës. Natyrisht ne do të punojmë me këdo që qeverisë me vendin. I urojmë suksese politikanëve kosovarë të sigurojnë që të jetë një qeveri stabile”, ka thënë Rutte.