Rusia vazhdon të furnizojë me armë separatist në Ukrainë

Zyrtarë ukrainas, kanë njoftuar se Rusia ka dërguar pajisje të reja ushtarake, për të ndihmuar separatistët pro-rusë në lindje, të cilët po luftojnë me forcat qeveritare.

Bota

26/11/2014 13:58

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm, Evhen Perebyinis, ka thënë se pesë kolona me armatim janë parë duke hyrë në territorin e Ukrainës, më 24 nëntor.

Perebyinis u ka thënë gazetarëve më 25 nëntor, se prej këtyre kolonave, janë identifikuar 85 mjete transporti, që kanë hyrë nga Rusia në Ukrainë, përmes pikës kufitare në Izvaryne.

“Pala ruse po vazhdon të pajisë terroristët në Donetsk dhe Luhanks, me armatime të rënda”, ka thënë Perebyinis, raporton RFE.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit njoftohet se është vrarë një ushtar ukrainas dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Konflikti mes separatistëve pro-rusë dhe qeverisë ukrainase, po vazhdon përkundër arritjes së armëpushimit mes tyre më 5 shtator.

Sipas Kombeve të Bashkuara, nga ky konflikt gjashtë mujor, janë vrarë më shumë se 4.300 persona.