Rusia teston gatishmërinë për luftë, NATO-ja teston mbrojtjen në Arktik
Rusia ka nisur të martën një stërvitje të madhe ushtarake që përfshin rreth 250 aeroplanë luftarakë dhe 12 mijë trupa tokësore, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është një “inspektim surprizë” për të testuar gatishmërinë luftarake.

Bota
Stërvitjet fillojnë të njëjtën ditë kur NATO-ja dhe disa nga partnerë të saj fillojnë një stërvitje trajnimi në Arktik.
Veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe inkursionet në hapësirën ajrore perëndimore kanë çuar në rritjen e tensioneve me Perëndimin.
Sipas raporteve të agjencive ruse Interfax dhe TASS, inspektimi i grupit të aviacionit dhe të forcave të mbrojtjes ajrore në qarkun ushtarak qendror, përfshinë pothuajse 700 lloje të ndryshme të armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Caroline Wyatt, korrespondent i BBC-së në Moskë, ka thënë se stërvitjet e nisura sot janë si përgatitje për një ushtrim tjetër edhe më të madh, të njohur si “Qendra 2015”, që pritet të mbahen në muajt e ardhshëm.
I pyetur të komentojë në lidhje me këmbëngulësinë e Rusisë që po tregon ndaj zhvillimeve në Ukrainë dhe në raport me Perëndimin, zëvendëskryeministri rus, Dimitri Rogozin, të cilit nuk i lejohet udhëtimi në vendet perëndimore, tha me shaka se “tanket ruse nuk kanë nevojë për viza”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina vitin e kaluar, si dhe nxitjen e konfliktit në dy rajone tjera ukrainase, Luhansk dhe Donetsk, ku deri në arritjen e një armëpushimi tre muaj më parë, gjatë luftimeve mes trupave qeveritare dhe separatistëve prorusë, u vranë mbi gjashtë mijë veta.
Rusia është kritikuar shumë në muajt e fundit edhe mbi rritjen e aktivitetit të saj ushtarak në hapësirën ajrore rreth vendeve nordike, duke përfshirë disa shkeljeve të hapësirës ajrore me avionë ushtarakë.
Ushtrimi i NATO-s, që po ashtu filloi sot dhe do të vazhdojë për dy javë, do të fokusohet në veri të Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës. Testi i gatishmerisë për tu mbrojtur do të përfshijë 115 avionë luftarakë dhe 3600 trupa nga nëntë vende.
Në stërvitjet në arktik do të përfshihen trupa dhe aeroplanë nga SHBA-të, Britania, Gjermania, Franca dhe Holanda, të gjithë anëtarët e NATO-s, si dhe Zvicra neutrale. Ushtrimi është i dyti i këtij lloji, pas testeve të ngjashme në 2013.
Ministrat e mbrojtjes të Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Danimarkës, së bashku me ministrin e jashtëm të Islandës, nënshkruan një deklaratë të përbashkët në muajin prill kundër shkeljeve të hapësirës ajrore nga ana e Moskës, dhe e quajtën Rusinë si “sfida më e madhe për sigurinë evropiane”. /lajmi.net/
