Rusia synon destabilizimin e veriut
Sulmet ndaj EULEX-it dhe shpallja e këtij misioni si i padëshirueshëm nuk janë të rastësishme. Burime të sigurta ndërkombëtare kanë thënë se janë në dijeni për qëllimin e Rusisë që ta destabilizojë veriun e Kosovës për të krijuar situatë të ngjashme me atë në Ukrainë.

Lajme
Dhjetë automjete “Lada Niva” të dhëna nga Federata Ruse për formacionin paraushtarak të Serbisë në veri të Kosovës “Mbrojtja Civile (Civilna Zastita srb.)”, janë bërë shkak i shqetësimit të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, shkruan gazeta “Tribuna”.
Mënyra se si Moska ka zgjedhur të ndihmojë këtë formacion në kohën kur Beogradi dhe Prishtina po dialogojnë për integrimin e tij në institucionet e Kosovës, po vlerësohet si përpjekje për të penguar normalizimin e veriut.
Për më shumë, burime të kësaj gazete bëjnë të ditur se pas sulmeve të fundit ndaj EULEX-it dhe vendimit të veriorëve që ta shpallin EULEX-in si mision të padëshiruar, mund të priten edhe veprime të tjera destabilizuese në veri të lumit Ibër, pasi që ka sinjale se prapa këtyre veprimeve qëndron Moska.
Sipas të njëjtave burime, qëllimi i parë i Moskës është që të krijojë një vatër tjetër krize të ngjashme me atë të Ukrainës duke e zgjeruar edhe më shumë argumentin e Rusisë që rasti i Kosovës të përdoret si precedent për invadimin e Krimesë.