Rusia i njeh kufijtë e Kosovës – e përdor sërish si pretekst për çështjen e Ukrainës

Rusia ka rikthyer edhe njëherë përdorimin e çështjes së Kosovës në diskursin e saj politik. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka kritikuar ashpër kundër-planin e Bashkimit Europian për paqen në Ukrainë, duke bërë paralele të pabazuara mes agresionit të paprovokuar të Moskës dhe ndërhyrjes perëndimore për të ndalur spastrimin etnik që po…

Lajme

25/11/2025 13:47

Rusia ka rikthyer edhe njëherë përdorimin e çështjes së Kosovës në diskursin e saj politik. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka kritikuar ashpër kundër-planin e Bashkimit Europian për paqen në Ukrainë, duke bërë paralele të pabazuara mes agresionit të paprovokuar të Moskës dhe ndërhyrjes perëndimore për të ndalur spastrimin etnik që po kryente Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Zakharova i drejtoi kritikat kryesisht presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke e akuzuar se po injoron “precedentin e Kosovës” kur flet për ndalimin e ndryshimit të kufijve me forcë, transmeton lajmi.net.

“Ursula nuk mund të mos dijë për Kosovën. Ishte Perëndimi ai që shpalli dhe me forcë zbatoi një ripërcaktim të njëanshëm të kufijve të Serbisë, në kundërshtim me vullnetin e popullit serb”, deklaroi ajo.

Zëdhënësja e Sergej Lavrov vazhdoi sulmet ndaj BE-së, duke pretenduar se Brukseli, me qëndrimin e tij kundër zgjerimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës, po i mohon një shteti sovran të drejtën për të përcaktuar vetë forcat e tij të armatosura. Ajo tërhoqi një tjetër paralele të pavend, duke kujtuar se Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore kishte pranuar kufizime të ngjashme. “Von der Leyen, si gjermane, duhet ta dijë këtë”, shtoi Zakharova.

Ajo e cilësoi gjithashtu “absurde” deklaratën e presidents së KE-së se Ukraina kishte zgjedhur rrugën europiane. Nuk është hera e parë që Moska përdor rastin e Kosovës si mjet justifikues për agresionin kundër Ukrainës dhe për aneksimet e territoreve të pushtuara. Kujtojmë se edhe presidenti Vladimir Putin është referuar më herët te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, duke përmendur të drejtën e popujve për vetëvendosje sipas Kartës së OKB-së./lajmi.net/