Rusët: E vramë Al Bagdadin
"Sipas informacioneve që kemi kontrolluar përmes kanaleve të shumta, kreu i DAESH-it Ibrahim Abu Bakr al-Baghdadi, i cili u vra nga sulmet, ishte gjithashtu në takim", thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes

Bota
Rusia pretendon se në sulmet ajrore ka vrarë kreun e DEASH-it dhe dhjetëra udhëheqës të tjerë ushtarakë të organizatës terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).
Al-Baghdadi ishte i pranishëm në një takim i cili ka qenë cak i sulmeve të forcave ajrore ruse më 28 maj. Aeroplanët rusë Su-34 dhe Su-35 kanë kryer sulme pranë Rakka-s, në veri të Sirisë, ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
“Sipas informacioneve që kemi kontrolluar përmes kanaleve të shumta, kreu i DAESH-it Ibrahim Abu Bakr al-Baghdadi, i cili u vra nga sulmet, ishte gjithashtu në takim”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Më tej thuhet se në mesin e anëtarëve të vrarë të DEASH-it është edhe emri i përgjegjësit për Rakka-n, Abu al-Haji Al Misri, përgjegjësi për shërbimin e sigurimit Sulejman Al Savvah, pastaj Ibrahim En Neyef Al Haj, i cili ishte i ngarkuar për kontrollin e rajonit mes Rakka-s dhe Suhnea-s.
Organizata terroriste DEASH më 30 qershor 2014 shpalli “kalifatin” në Irak, dhe për “kalif” u emërua udhëheqës i organizatës Abu Bakr al-Baghdadi.
Zëdhënësi i DEASH-it, Abu Muhamed al-Adnani, atëherë përmes rrjetit social Twitter publikoi një video përmes së cilës informon shpalljen e “Kalifatit në Irak”. Adnani i bëri thirrje të gjitha grupeve të ngjashme islamike që të bashkohen me DEASH-in.
Organizata e sotme DEASH ishte formuar në vitin 2004, nën emrin “Trupat irakiane xhihadiste të Al Kaidës”. Me qëllim për të luftuar kundër ushtrisë amerikane, asokohe u themelua nga ish-lideri i Al-Kaidës në Irak, Abu Musab Zerkavi. Ky udhëheqës dy vjet më vonë themeloi Këshillin e muxhahidëve për të bashkuar të gjitha lëvizjet e armatosura sunite në Irak. Zerkavi në vitin 2006 u vra nga ushtria amerikane.
Liderët e rinjë Muhaxhir dhe Nagdati u vranë në vitin 2010, kurse në krye të organizatës erdhi Abu Bakr Al-Baghdadi. Ai vazhdoi drejtimin e njëjtë me qëllim të rikthimit të Frontit Nusra në organizatë, ku në prill të vitit 2013 e ndërroi emrin në Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit.