Rudolph: Ngërçi institucional ka përfunduar – Gjermania e dëshiron Kosovën si partnere në Evropë dhe BE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se vendi i tij dëshiron ta shohë Kosovën si partnere të plotë në Evropë dhe në Bashkimin Evropian. Në fjalimin e tij në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman 2026, Rudolph tha se përfundimi i ngërçit institucional i hap rrugë Kosovës që…

Lajme

08/10/2026 19:23

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se vendi i tij dëshiron ta shohë Kosovën si partnere të plotë në Evropë dhe në Bashkimin Evropian.

Në fjalimin e tij në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman 2026, Rudolph tha se përfundimi i ngërçit institucional i hap rrugë Kosovës që ta rikthejë fokusin te agjenda evropiane, transmeton lajmi.net.

“Ngërçi institucional ka përfunduar. Pres me padurim të punoj me Presidenten e sapozgjedhur, Qeverinë dhe të gjitha institucionet në Kosovë për një agjendë që nuk ka ndryshuar që nga ardhja ime këtu një vit më parë: Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë. Si partnere në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij”, tha ai.

Ambasadori gjerman vlerësoi edhe lidhjet e veçanta ndërmjet dy vendeve, duke thënë se marrëdhëniet Kosovë-Gjermani janë më të thella sesa ato që mund të ndërtohen vetëm përmes punës diplomatike.

“Duket se pothuajse çdo familje këtu ka lidhjet e veta personale me Gjermaninë. Kam kuptuar se, në të vërtetë, ne jemi familje. Dhe kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme çdo ditë”, u shpreh Rudolph.

Sipas tij, ambiciet evropiane të Kosovës janë sot më të rëndësishme se kurrë, ndërsa vendi, pas zgjidhjes së krizës institucionale, është në pozitë për të avancuar më aktivisht në këtë drejtim.

“Duke krijuar institucione të qëndrueshme, vendi tani e ka vendosur veten në një pozitë për ta ndjekur sërish në mënyrë aktive këtë agjendë”, tha Rudolph.

Ai paralajmëroi se rruga drejt integrimit evropian nuk do të jetë gjithmonë e lehtë dhe do të kërkojë vendime të vështira.

“Ky proces do të kërkojë ende debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët”, tha ambasadori, duke shtuar se Kosova duhet të vazhdojë ta ndjekë këtë synim.

Rudolph foli edhe për ndryshimet në sigurinë evropiane, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe sulmet hibride ndaj disa vendeve evropiane.

“Në këtë mjedis, Kosova tani jo vetëm që mundet, por edhe duhet të mos shikojë më nga vetja, por ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë”, deklaroi ai.

Diplomati gjerman tha se Kosova duhet të shfrytëzojë potencialin e saj si shtet i ri dhe të kontribuojë më shumë në Evropë.

“Do të doja ta shihja Kosovën të bëjë një hap përpara dhe të sjellë në tryezë asetet e saj si një shtet i ri dhe i zhvilluar në Evropë”, tha Rudolph.

Ai vlerësoi zhvillimet në Kosovë gjatë 18 viteve të pavarësisë, duke përmendur demokracinë, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë.

Në fund, ambasadori gjerman veçoi të rinjtë kosovarë dhe aspiratat e tyre për të ardhmen në Evropë.

“Unë i shoh të gjithë të rinjtë kosovarë si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Te ta shoh atë që na nevojitet në Evropë dhe atë për të cilën shpresoj: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore”, tha ai.

Rudolph theksoi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë rrugëtim.

“Jam i lumtur që vendi tani është i gatshëm të ecë përpara. Gjermania do të vazhdojë me ju në këtë rrugë, si mike dhe partnere, ashtu siç ka bërë gjithmonë”, përfundoi ambasadori gjerman./lajmi.net/